Një test i ri gjaku për sëmundjen e Alzheimerit mund të identifikojë personat që shfaqin simptomat e para të saj, sipas një studimi të realizuar nga shkencëtarët në Klinikën Mayo në SHBA.
Studiuesit kanë treguar se testimi i dy proteinave në plazmën e gjakut – amyloid beta 42/40 dhe p-tau217 – mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm të demencës. Këto proteina lidhen me akumulimin e pllakave amiloide në tru, një nga shenjat dalluese të sëmundjes së Alzheimerit.
Testi rezultoi shumë i saktë: kishte 95% ndjeshmëri, që do të thotë se ishte në gjendje të identifikonte me saktësi shumicën dërrmuese të rasteve me probleme të kujtesës, dhe 82% specifikë, që do të thotë se ishte gjithashtu i saktë në përjashtimin e personave që nuk kishin demencë, raporton The Guardian.
Studimi u realizua mbi më shumë se 500 pacientë në një klinikë të kujtesës, çka tregon se të dhënat janë të marra në kushte reale klinike. Testi i gjakut është tashmë miratuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Dr. Gregg Day, autor i studimit të botuar në revistën Alzheimer’s and Dementia, u shpreh:
“Studimi ynë tregoi se testimi i gjakut konfirmoi diagnozën e sëmundjes së Alzheimerit me 95% ndjeshmëri dhe 82% specifikë. Kur përdoret në kushte ambulatore, është po aq i saktë sa testet më invazive me lëngun cerebrospinal dhe është shumë më i lehtë dhe ekonomik.”
Studiuesit vunë re gjithashtu se niveli i p-tau217 ishte më i lartë tek pacientët me Alzheimer krahasuar me ata pa sëmundjen.
Dr. Day shtoi se hapi i radhës është testimi i analizave të gjakut në grupe më të ndryshme njerëzish, përfshirë ata që mund të kenë Alzheimer në fazat shumë të hershme, por pa simptoma të dukshme.
Dr. Richard Oakley, drejtor për kërkimin dhe inovacionin në Alzheimer’s Society në Mbretërinë e Bashkuar, tha:
“Këto rezultate tregojnë se ky test është shumë i saktë dhe mund të përdoret bashkë me testime të tjera dhe vlerësimin klinik të profesionistëve të trajnuar. Studimi tregon si analizat e gjakut po e bëjnë diagnostikimin e Alzheimerit më të shpejtë, më të lehtë dhe më të arritshëm.”
Ai shtoi se testi ishte vlerësuar edhe tek persona me lloje të tjera demence, çka mund të ndihmojë në dallimin e shkaqeve të ndryshme të rënies së aftësive njohëse, megjithëse nevojiten më shumë kërkime në popullata më të ndryshme dhe në kontekste komunitare.
“Diagnoza në MB shpesh është e ngadaltë, e shtrenjtë dhe mund të jetë invazive – që do të thotë se mijëra persona nuk marrin përfitimet që vijnë nga një diagnozë e hershme. Është inkurajuese që analiza të tilla janë tashmë të miratuara për përdorim klinik në SHBA. Shpresojmë të ndodhë e njëjta gjë edhe në sistemin shëndetësor britanik (NHS), ndaj jemi pjesë e Blood Biomarker Challenge.”
Ky është një program kërkimor prej miliona paundësh, i financuar nga Alzheimer’s Society, Alzheimer’s Research UK dhe Instituti Kombëtar për Kërkime Shëndetësore dhe Kujdes (NIHR), me synim sjelljen e analizave të gjakut për diagnostikimin e demencës në NHS deri në vitin 2029.
Oakley përfundoi:
“Testet e gjakut do të jenë çelësi për të përshpejtuar diagnozën dhe për t’u dhënë më shumë njerëzve qasje më të shpejtë në kujdes, mbështetje dhe trajtime. Duhet investim i qëndrueshëm në pajisje dhe staf që të sigurohemi që çdo person me demencë të marrë një diagnozë të hershme dhe të saktë – veçanërisht tani që trajtimet e reja që ndikojnë në rrjedhën e sëmundjes po afrohen.”
Dr. Julia Dudley, drejtore kërkimore në Alzheimer’s Research UK, tha:
“Na nevojitet me urgjencë një përmirësim i mënyrës si diagnostikohet demenca dhe është inkurajuese të shohim kërkim ndërkombëtar që punon drejt këtij qëllimi. Kjo analizë e gjakut që vlerëson proteinat p-tau217 dhe amyloid beta 42/40 tregoi saktësi të lartë në konfirmimin e sëmundjes së Alzheimerit.”
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë që këto teste të provohen edhe në grupe më të ndryshme njerëzish, pasi pjesëmarrësit në kërkime nuk përfaqësojnë gjithmonë realitetin e gjerë të personave me demencë, të cilët mund të kenë edhe kushte të tjera shëndetësore.
Në Mbretërinë e Bashkuar, studime si Blood Biomarker Challenge po ndihmojnë në krijimin e këtij bazamenti shkencor. Testimet e p-tau217 dhe biomarkerëve të tjerë po realizohen tek mijëra persona nëpër qendra të ndryshme në të gjithë vendin.
“Kjo punë do të jetë vendimtare për ta bërë diagnozën më të lehtë dhe më të shpejtë, duke na afruar gjithnjë e më shumë me një kurë.”