Prishtinë, 22 qershor 2025 – Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se sot, më datë 22.06.2025, njësia B1 e Termocentralit Kosova B është kthyer në operim pas realizimit të një sërë sanimesh intensive dhe të domosdoshme.
Edhe pse sipas parashikimeve fillestare, përfundimi i punimeve ishte planifikuar brenda një afati prej 48 orësh, falë përkushtimit të jashtëzakonshëm dhe profesionalizmit të ekipeve teknike, të gjitha ndërhyrjet janë realizuar në kohë më të shkurtër se sa ishte parashikuar.
Punimet përfunduan rreth orës 15:30, kur filloi procesi i startimit të njësisë, ndërsa në ora 18:39, njësia u sinkronizua me rrjetin elektroenergjetik, dhe aktualisht është në gjendje plotësisht stabile dhe funksionale.
Punimet kryesore të realizuara gjatë kësaj periudhe përfshijnë:
• Sanimi i rrjedhjeve në kaldajë, me ndërrimin e rreth 30 gypave të dëmtuar në nivele të ndryshme;
• Sanimi i rrjedhjeve në kondenzator, me eliminimin e rreth 410 gypave me rrjedhje;
• Intervenime në skarën 1 dhe 2, me qëllim përmirësimi të performancës së djegies;
• Riparime në barrierën termike të pompës furnizuese PF1;
• Sanimi i defekteve në filtrin elektrik, në 7 nga 8 fushat e tij, me angazhim të pandërprerë teknik.
Kjo ndërhyrje e suksesshme dëshmon edhe një herë kapacitetin dhe përgatitjen profesionale të stafit të KEK sh.a., si dhe aftësinë për menaxhimin me përgjegjësi të proceseve të ndërlikuara teknike në funksion të sigurisë së furnizimit me energji.
Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hasani, ka falënderuar të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë proces, duke deklaruar:
“Ky sukses është rezultat i punës ekipore dhe përkushtimit të secilit prej jush. Ju falënderoj thellësisht për profesionalizmin dhe vullnetin që treguat në këtë ndërhyrje kaq të rëndësishme dhe sfiduese. Menaxhmenti dhe unë personalisht kemi qenë pranë jush gjatë gjithë kohës për të ofruar përkrahjen tonë, dhe sot ndjehemi krenarë për ju!”
KEK sh.a. riafirmon përkushtimin e saj për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, mirëmbajtje efikase të kapaciteteve prodhuese dhe menaxhim të përgjegjshëm të burimeve energjetike të vendit.
Me respekt,
Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete
KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS