Lidhur me obligimin për lëshimin e kuponit fiskal sipas Udhëzimit Administrativ (MFPT) Nr. 01/2025
Të nderuar përfaqësues të sektorit të gastronomisë,
Ju informojmë se me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ (MFPT) Nr. 01/2025 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronikë fiskalë, nga data 16 prill 2025, janë përcaktuar rregulla të qarta dhe detyrime të reja për të gjitha furnizimet me mallra dhe/ose shërbime në sektorin tuaj.
Bazuar në Nenin 6 të këtij Udhëzimi, theksojmë detyrimet e mëposhtme për të gjitha bizneset në gastronomi:
• Kuponi fiskal duhet të lëshohet menjëherë në momentin e pagesës, pavarësisht nëse pagesa bëhet me para të gatshme, kartelë bankare, transfer bankar apo mjete të tjera elektronike.
• Në rast të pagesës paraprake (p.sh. për rezervime të darkave apo eventeve), kuponi fiskal lëshohet menjëherë pas pagesës, edhe nëse shërbimi do të ofrohet më vonë.
• Në rastet kur shërbimi furnizohet dhe pagesa bëhet më vonë me marrëveshje ndërmjet palëve, kuponi fiskal duhet të lëshohet në momentin e dorëzimit të shërbimit apo mallrave, jo në momentin e pagesës.
⸻
Përveç kësaj, ju informojmë për pikat kryesore të ndryshimeve që duhet t’i keni parasysh:
• Përdorimi i obliguar i Pajisjeve Elektronike Fiskale (PEF/SF) të certifikuara dhe të lidhura me sistemin elektronik të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
• Komunikimi i të dhënave fiskale në kohë reale me ATK-në përmes sistemit të transmetimit elektronik.
• Përditësimi i pajisjeve fiskale dhe softuerëve ekzistues sipas standardeve të reja teknike dhe funksionale.
• Përmbajtja e detyrueshme e kuponit fiskal përfshin: numrin unik të kuponit fiskal, barkodin QR, logon “RKS”, datën dhe orën e saktë të transaksionit, informacionet e pagesës dhe të TVSH-së.
• Sanksione dhe masa ndëshkuese do të ndërmerren në rast të mosrespektimit të këtyre obligimeve.
⸻
Ftojmë të gjithë bizneset në gastronomi që të ndërmarrin masat e nevojshme për:
• Përditësimin e pajisjeve fiskale në përputhje me udhëzimin e ri;
• Trajnimin e stafit për respektimin e detyrimeve të reja fiskale;
• Këshillimin me operatorët e autorizuar për mbështetje teknike dhe informata shtesë.
Për më shumë informacione, ju lutem kontaktoni Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) ose konsultohuni me operatorët tuaj fiskalë të autorizuar.
⸻
Respekto ligjin – kontribuo për një treg më të ndershëm dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm!
Kushtrim Shala CEO Sigma Group LLC