Përzgjedhësi i Norvegjisë, Stale Solbakken, ka deklaruar se dueli mes Erling Haaland dhe Harry Kane mund të jetë vendimtar në përballjen çerekfinale të Kupës së Botës ndaj Anglisë, e cila zhvillohet të sonte.
Norvegjia ka arritur për herë të parë në çerekfinale të një Kampionati Botëror që nga rikthimi i saj në këtë garë pas 28 vjetësh, falë paraqitjeve të shkëlqyera të Erling Haaland. Sulmuesi ka realizuar shtatë gola në katër ndeshjet e para të turneut, ndërsa Anglia mbështetet te Harry Kane, i cili ka shënuar gjashtë gola në këtë Botëror, duke e çuar në 14 numrin total të golave në Kupat e Botës.
Në konferencën për media para ndeshjes në Miami, Solbakken theksoi rëndësinë e dy sulmuesve.
“Mendoj se është Norvegjia kundër Anglisë, por nuk është sekret që Kane është fituesi kryesor i ndeshjeve për Anglinë dhe Haaland është fituesi kryesor i ndeshjeve për ne”, deklaroi Solbakken.
Ai vlerësoi gjithashtu rrugëtimin historik të Norvegjisë në këtë turne, duke kujtuar se skuadra ka kaluar çdo pritshmëri, përfshirë edhe fitoren 2-1 ndaj Brazilit në fazën e 1/8 së finales, falë dy golave të vonshëm të Haaland.
“Çdo ndeshje ka qenë më e rëndësishmja në historinë e futbollit norvegjez, veçanërisht në fazën me eliminim direkt, kështu që kjo është hera e tretë që është ndeshja më e rëndësishme. Ndiej se lojtarët janë në një gjendje të qetë, por konkurruese”, u shpreh ai.
Sipas Solbakken, presioni është më i madh mbi Anglinë, edhe pse edhe Norvegjia kërkon të japë maksimumin në fushë.
“Mendoj se Anglia ka më shumë presion se ne, por edhe ne i bëjmë presion vetes për paraqitjen. Kur ndeshja fillon, nuk besoj se lojtarët mendojnë shumë për presionin kur janë njëmbëdhjetë kundër njëmbëdhjetë”, tha ai.
Trajneri norvegjez foli edhe për atmosferën që ka krijuar Kombëtarja në vendin e tij, duke theksuar se suksesi në Botëror ka bashkuar tifozët.
“Mendoj se e gjithë Norvegjia po e pret me padurim ndeshjen e nesërme. Kemi pasur disa mbrëmje të mëdha në këtë Kupë Bote dhe kjo e bashkon vendin. Ndoshta kjo nuk do të jetë më diçka që do t’i mungojë Norvegjisë, sepse besoj se do të kualifikohemi më shpesh. Tani kemi mundësi të kalojmë në Kampionate Evropiane ose Botërore. Por kanë kaluar 26 vjet që nga hera e fundit”, deklaroi Solbakken.
Ndeshja në Miami pritet të zhvillohet në temperatura shumë të larta, pasi autoritetet amerikane kanë lëshuar paralajmërim për vapë ekstreme, me temperaturën e ndjeshme që pritet të kalojë 40 gradë Celsius.
Solbakken tha se skuadra e tij ka përshtatur përgatitjet për këto kushte.
“Kemi stërvitur shumë lehtë. Nuk kemi bërë shumë punë të rëndë. Kemi zhvilluar seanca taktike, por me ritëm më të ulët dhe jo për periudha të gjata. Gjithçka ka të bëjë me të qenit të freskët për nesër. Të dyja kombëtaret duhet të mësohen me të njëjtat kushte”, përfundoi Solbakken”, tha ai.
Ndeshja Norvegji – Angli zhvillohet sonte, me fillim nga ora 23:00. Dueli do të luhet në stadiumin “Hard Rock Stadium” në Miami, Florida.


