“Nuk kishte konkurrencë, Dembele fitoi me një diferencë të madhe” – Kryeredaktori i France Football për Topin e Artë 2025

Vincent Garcia, kryeredaktori i revistës France Football, e cila ndan çmimin prestigjioz “Topi i Artë”, ka folur për rezultatet e votimit që kurorëzuan Ousmane Dembelen si futbollistin më të mirë në botë për vitin 2025, pasardhës i spanjollit Rodri.

Në një intervistë për L’Equipe TV, Garcia u shpreh se gara këtë vit ishte e qartë:
“Për t’ju dhënë një ide, nuk ishte një garë, sinqerisht. Dembele fitoi me një diferencë të madhe. Ai mori mbështetjen dërrmuese të votuesve tanë dhe është një zgjedhje e fortë”, tha ai.

Garcia theksoi se edhe pse Paris Saint-Germain pati një sezon të fuqishëm, kjo nuk ndikoi negativisht te Dembele, pasi shpërndarja e votave mes shokëve të skuadrës ishte minimale. “Vitinha mori disa vende të para, Achraf Hakimi gjithashtu, por shumë pak”, shtoi ai.

Të gjitha detajet e plota të votimit do të publikohen të shtunën në revistën speciale të France Football. Sipas Garcias, Dembele dominoi në çdo kontinent – Afrikë, Evropë, Amerikën e Jugut dhe Amerikën e Veriut.

Kujtojmë se votimi kryhet nga gazetarë që përfaqësojnë secilin nga 100 vendet e para në renditjen e FIFA-s. Çdo gazetar zgjedh 10 futbollistët më të mirë, me shpërndarje pikësh nga 15 për vendin e parë, deri në 1 për të dhjetin.

“Një Top i Artë i qartë dhe pa mëdyshje”, përfundoi Garcia.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU