Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar se pse nuk ka një marrëveshje me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn.
Kurti tha se është mirë që Limaj më Nismën është kthyer në Kuvendin e Kosovës dhe se kjo parti do të duhej të ishte parti simotër me Lëvizjen Vetëvendosje.
Madje Kurti tha se Nisma në koalicion me AAK-në e ka ndihmuar partinë e Ramush Haradinajn ta kalojë pragun zgjedhor.
Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, ku është rritur mirëbesimi, vullneti për bashkëpunim. Mirëpo, ku nuk ka pasur mosmarrëveshje, thjesht për shkak të një insistimi, parakushti, madje as kushti, për bashkëpunim në të ardhmen për pozitën e kryeparlamentarit. Tash unë jam në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa. Një partie me tre deputetë t’ia japim kryeparlamentarin, kur e kam një parti që është dyfishi për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton pariparueshëm arkitekturën e marrëveshjes paraprake që VV e ka me Guxo dhe Alternativa. Nuk ishte një gjë e mundur”, tha Kurti në RTK.
Kurti ka sfiduar partitë e tjera që të votojë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, duke u shprehur i sigurt se e ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e re.
Ai shtoi se nëse nuk arrin të sigurojë shumicën, kjo do të ishte një fitore politike për opozitën.
“Ata nuk besojnë që unë nuk i kam 61 vota për kryeministër. Unë iu them atyre ‘me testoni’. Nëse ata besojnë që Albin Kurti si ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë kryeministër përsëri, e kanë në dorë të më besojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar korumin”, tha Kurti në RTK.