Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me aksionin policor “Qielli i Thyer” që u zhvillua mëngjesin e hershëm të së martës.
Pas një hetimi disamujor, Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një operacion të madh kundër krimit të organizuar, që ka çuar në arrestimin e 22 personave nën dyshimin për përfshirje në trafikim ndërkombëtar me narkotikë dhe pastrim parash.
Operacioni, i koduar “Qielli i Thyer”, është zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, ndërsa në të kanë marrë pjesë rreth 600 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që kanë realizuar bastisje në 47 lokacione të ndryshme.
Sipas komunikatës së përbashkët të PSRK-së dhe Policisë së Kosovës, aksioni është zhvilluar në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
“Angazhimi dhe puna e koordinuar ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar” – thuhet në komunikatë.
Prokuroria tha se personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Sipas PSRK-së, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.
Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë sekuestruar sasi të mëdha të pasurisë dhe dëshmive materiale, përfshirë lëndë narkotike:
29 vetura
134,900 euro para të gatshme20,040 franga zvicerane490 dollarë13,000 euro para të falsifikuara9 orë dore luksoze36 armë të llojeve të ndryshme1,569 fishekë dhe 1,292 copë municionnjë prese për paketim heroine dhe kokainelaptopë, telefona, USB dhe dokumente
Po ashtu, sipas Prokurorisë, janë ngrirë 400 mijë euro në llogari bankare dhe janë vënë nën ndalim të gjitha paluajtshmëritë që u përkasin të dyshuarve.
Operacioni është zhvilluar me mbështetje nga autoritetet e Belgjikës, Holandës dhe Europol-it, ndërsa Prokurori i PSRK-së ka qenë i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave për kontroll.
Ky është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që merren me trafikim ndërkombëtar, pastrim parash dhe forma të tjera të kriminalitetit” – thuhet në komunikatë.
PSRK dhe Policia e Kosovës i kanë siguruar qytetarët se nuk do të ketë asnjë tolerancë për aktivitetet kriminale, duke riafirmuar përkushtimin për luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar.
“Asnjë aktivitet kriminal nuk do të tolerohet në komunitetin tonë” – përfundon komunikata e përbashkët e Policisë dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.