No menu items!

Osmani për njohjen nga Sudani: Kemi qenë në komunikim për vite me radhë, na mbështeti edhe Turqia

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në emisionin Rubikon për njohjen më të fundit që i erdhi Kosovës këtë të shtunë nga shteti i Sudanit.

Osmani tha se Presidenca ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Sudanin, por merita për këtë njohje i dha edhe Turqisë.

“Me shtetin e Sudanit ka vite me radhë që ne si Presidencë kemi komunikim, të gjitha janë bërë me mbështetjen e madhe të shtetit turk, dua ta them që nga fillimi. Është një shtet jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili edhe pse po kalon nëpër sfida të mëdha është një shtet me të cilin kemi pasur komunikime të vazhdueshme dhe tani këto ditët e fundit këto komunikime kanë qenë shumë më intensive”, tha Osmani.

Presidentja Osmani tha se gjatë takimit me homologun e saj turk Recep Tayyip Erdogan, kanë diskutuar për një plan konkret sa i përket rritjes së numrit të njohjeve të Kosovës,  ndërsa shtoi se njohjet e pavarësisë së Kosovës e përmirësojnë kualitetin e qytetarëve të vendit.

“Ai (Erdogan) si lider i Turqisë, edhe kur ishte kryeministër edhe tani si president e ka mbështetur shumë këtë proces, tani kemi një plan shumë më konkret, shumë më intensiv nëpërmjet të cilit besoj që do të kemi mundësi që sa më shpejt ta rrisin numrin e njohjeve për Kosovën dhe kjo për ne asnjëherë s’ka qenë thjeshtë çështje njohjesh bilaterale, por e ndihmon kualitetin e jetës së qytetarëve tanë sepse sa më shumë njohje aq më shumë mund të kemi anëtarësim në organizata ndërkombëtare, të cilat përfshijnë nga çështje të të drejtave të njeriut deri te çështjet e shëndetësisë apo sundimit të ligjit, pra përfitues janë qytetarët tanë sepse ngritet kualiteti i të gjitha këtyre fushave”, tha Osmani.

Osmani u shpreh optimiste se procesit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës tashmë po i jepet një shtytje e re.

“Fillimisht me njohjen nga Kenia tani me njohjen nga Sudani i është dhënë një shtytje e re gjithë këtij procesi, natyrisht me përkrahjen e aleatëve tanë me të cilët si presidente punoj vazhdimisht dhe jam e bindur që ky proces do të ketë energjinë e duhur edhe gjatë ditëve e muajve e viteve në vijim”.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.