Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një organizim në Uashington në Universitetin Johns Hopkins ka folur edhe për krizën politike në Kosovë dhe për faktin se ende s’është konstituar Kuvendi i Kosovës. Osmani ka thënë se është shumë zhgënjyese për qytetarët, si në aspektin politik, si në aspektin e pritshmërive ndaj liderëve, fakti që tash e sa muaj s’ka institucione të reja.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova është duke humbur shumë për shkak të mungesës së parlamentit, duke përmendur edhe fonde të shumta.
“Ndonjëherë hapet një dritare mundësie dhe, për shkak se nuk kemi parlament, ajo humbet. Po humbim shumë sa i përket marrëdhënieve me miqtë dhe partnerët tanë, jo vetëm në aspektin e imazhit, por edhe në marrëveshje ndërkombëtare përmes të cilave mund të përfitojmë shumë ndihmë financiare, dhe vende të tjera në rajon i kanë përdorur këto marrëveshje prej kohësh. Por ne, për shkak se nuk kemi parlament, nuk jemi në gjendje t’i ratifikojmë ato marrëveshje. Dhe kjo është shumë e rrezikshme për një shtet që funksionon mbi parimin e ndarjes së pushteteve – që ka parlament, president, kryeministër – dhe ku parlamenti gjithmonë e mbikëqyr qeverinë. Për mua, kjo është një erozion i demokracisë – të mos kesh një parlament funksional”, ka thënë Osmani.
Tutje e para e shtetit ka thënë se në vazhdimësi iu bën thirrje liderëve të partive politike që sa më shpejtë të sigurojnë votat për themelimin e institucioneve.
“Ka shumë gjëra të tjera që po dëmtojnë interesat e shtetit dhe të qytetarëve tanë. Prandaj unë vazhdimisht i bëj thirrje liderëve që të sigurojnë numrat sa më shpejt që të jetë e mundur. Por sigurisht ata kanë çështjet e tyre në mendje, dhe tani Gjykata Kushtetuese në një vendim ka vendosur një afat prej 30 ditësh, i cili skadon më 26 korrik – tani nuk më kujtohet saktësisht data e sotme, por është 10 korriku – kështu që kanë mbetur pak më shumë se dy javë, që do të thotë se nuk ka shumë kohë, dhe ne kemi punuar me partitë për të siguruar që ky afat të respektohet”, ka thënë Osmani.
Presidentja ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që obligon partitë politike ta themelojnë Kuvendin brenda 30 dite. Ajo ka thënë se planifikojnë t’I drejtohen përsëri Gjykatës, për të sqaruar se cilat janë pasojat nëse s’respektohet afati 30 ditor.
“Por ndërkohë, gjykata nuk ka sqaruar se çfarë ndodh, cilat janë pasojat ligjore nëse parlamenti nuk konstituohet brenda këtij afati. Ajo thjesht thotë në vendimin e saj se është një normë kushtetuese detyruese të konstituohet parlamenti brenda 30 ditësh, por nuk shpjegon se çfarë ndodh nëse kjo normë nuk respektohet. Prandaj po shikojmë mundësinë ligjore për t’iu drejtuar sërish gjykatës, vetëm për të kërkuar sqarim për këtë çështje – cilat janë pasojat ligjore të moskonstituimit të parlamentit – dhe shpresojmë që gjykata të përgjigjet shpejt, vetëm për të ditur se çfarë do të ndodhë”, ka thënë presidentja./GazetaExpress/