Pas skadimit të kontratës me kompaninë e sigurimit, QKUK ka mbetur pa sigurim fizik në repartet e saj që nga dita e djeshme. Punëtorët e sigurimit nuk kanë dalë sot në punë, por kanë protestuar duke kërkuar vazhdimin e kontratave dhe siguri në vendin e tyre të punës.
Mungesa e sigurimit ka sjellë telashe të shumta në mbarëvajtjen e punës brenda repartit, duke shkaktuar konfuzion dhe përplasje verbale mes pacientëve që presin për shërbime.
“Unë kam ardhur në orën 9:00, ndërsa ti pas orës 10, e po do me hy!”, dëgjohen ankesa nga pacientët e pakënaqur me mungesën e rregullit dhe kontrollit.
Ekipi i Raporto24 ka vizituar sot disa nga repartet e QKUK-së, ku është vërejtur mungesë e rendit dhe sigurisë, si dhe tension i lartë për shkak të mungesës së stafit të sigurimit që zakonisht menaxhon hyrje-daljet dhe qetësinë në hapësirat spitalore./Raporto24/