No menu items!

Pagat e ambasadorëve deri në 6.600 euro, shtesa edhe për fëmijët

Deri në rreth 7 mijë shkojnë të hyrat e një ambasadori përfshirë shtesat për fëmijët, sipas Rregullores për kompensimin e anëtarëve të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës që e ushtrojnë detyrën jashtë vendit. Por shkallëzimi i shtesave, sipas pagës bazë të diplomatëve, ka ngritur shqetësime për diskriminim dhe trajtim jo të barabartë

Diplomatëve kosovarë u janë rritur të hyrat mujore pas Rregullores së miratuar vitin e kaluar lidhur me caktimin e koeficienteve që merr për bazë koston e jetesës në vendet ku Kosova ka hapur misione diplomatike.

Veç pagave të titullarëve të misioneve, sipas Rregullores për Kompensimin e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, të hyra realizohen edhe në emër të shtesave të fëmijëve.

Diplomati kompensohet për shpenzimet e fëmijëve nën moshën 18-vjeçare. Për fëmijën e parë llogaritet shtesa prej dhjetë për qind e pagës mujore; për fëmijën e dytë – tetë për qind; për fëmijën e tretë – gjashtë për qind; kurse për katër e më tepër fëmijë llogaritet shtesa prej pesë për qind e pagës mujore

5. Diplomati kompensohet për shpenzimet e fëmijëve të saj/tij nën moshën tetëmbëdhjetëvjeçare (18), të cilët banojnë bashkë me diplomatin në shtetin pritës: 5.1. për fëmijën e parë llogaritet shtesa prej dhjetë për qind (10%) e pagës mujore; 5.2. për fëmijën e dytë llogaritet shtesa prej tetë për qind (8%) e pagës mujore; 5.3. për fëmijën e tretë llogaritet shtesa prej gjashtë për qind (6%) e pagës mujore; 5.4. për katër e më tepër fëmijë llogaritet shtesa prej pesë për qind (5%) e pagës mujore për secilin”, thuhet në nenin 4 të Rregullores.

Por jo të gjithë fëmijët e diplomatëve marrin shtesa të njëjta, pasi kjo ndërlidhet me koeficientet e pagave.

Sipas Ligjit për Paga në sektorin publik, koeficienti për pozitën e ambasadorit është 12.8, që i bie se paga e tij është 1 mijë e 344 euro. Por, kjo pagë shumëfishohet kur hyjnë edhe përqindjet e tjera

Mbështetur në listën e pagave të shefave të misioneve dhe konsujve të përgjithshëm, të cilën e ka vënë në dispozicion MPJ-ja pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, më i paguari del të jetë konsulli i përgjithshëm në Nju-Jork, Blerim Reka. Paga e tij mujore është 6 mijë e 609 euro bruto.

Pas tij më i paguari është ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, me pagë mujore prej 5 mijë e 798 eurosh. Paga mbi pesë mijë euro marrin edhe ambasadorët e akredituar në Paris, Bernë, Kambera dhe Otavë. Sipas listës së pagave, konsulli i përgjithshëm në Strugë, Agim Krasniqi, del të jetë me pagën me të ulët – 1 mijë e 328 euro.

Fëmijët e diplomatëve me grada më të ulëta i bie të marrin më pak shtesa.

Ministri në misionin diplomatik e ka koeficientin 10.4, ndërsa paga e tij është 1 mijë e 92 euro. Kurse ministri këshilltar me koeficient 9.8 i bie të marrë pagë prej 1 mijë e 29 eurosh.

Zyrtarë të MPJ-së që kanë qenë të përfshirë në diskutimet për rregulloren, në kushte anonimiteti kanë thënë se përcaktimi i shtesave të fëmijëve në bazë të koeficienteve të diplomatëve përbën diskriminim.

Kjo rregullore ishte përpiluar prej komisionit të caktuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Në krye të këtij misioni ishte Vigan Berisha, që tani shërben si shef i misionit në Cyrih. Sipas indeksit të përqindjeve të propozuara, Cyrihu është pas New Jorkut, me 4.20 për qind. Të hyrat mujore të Berishës janë 3 mijë e 755 euro.

Berisha por as MPJD-ja nuk kanë ofruar sqarime se cilat rrethana janë marrë për bazë kur janë vendosur përqindjet e të hyrave.

 

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.