Një shkëmbim zjarri mes dy mjeteve në lëvizje ka ndodhur pasditen e sotme pranë shkollës fillore “Iliria” në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, duke shkaktuar panik dhe frikë të madhe te kalimtarët që ndodheshin në zonë.
Sipas Gazetës Sinjali, në incident janë përfshirë një motoçikletë ngjyrë e gjelbër dhe një veturë BMW ngjyrë hiri. Të dy mjetet kanë shkëmbyer të shtëna me armë zjarri mes vete në mes të rrugës, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Dëshmitarë okularë thanë për Sinjalin se për pak nuk janë goditur nga plumbat. “Na shpëtoi Zoti, dy hapa më afër dhe do të ishim goditur. Plumbat kalonin afër veturave dhe kalimtarëve. Ishim me fëmijë”, thanë ata.
Pjesë e kësaj skene të rrezikshme ishte edhe një grua shtatzënë, e cila ndodhej në një veturë tjetër së bashku me bashkëshortin e saj dhe nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Ajo ka përjetuar tronditje të momentit, por gjendja e saj është stabile dhe nuk ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore.
Raporto24 ka xhiruar dhe fotografuar nga vendi i ngjarjes, ku shihen gëzhoja plumbash në rrugë dhe dëmtime në objekte përreth. Policia dhe Forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur të gjitha provat. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autorët mbeten ende në arrati. Hetimet janë në vazhdim./Raporro24/