Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa, ka bërë të ditur të mërkurën se është arrestuar personi më i kërkuar në vend, Jose Adolfo Macias, i njohur me nofkën “Fito”.
Ai ishte arratisur në janar nga një burg me siguri të lartë në Guayaquil, ku vuante një dënim 34-vjeçar për vrasje dhe trafik ndërkombëtar droge.
Arratisja e tij shkaktoi një krizë të thellë sigurie në vend, duke detyruar presidentin Noboa të shpallte “konflikt të brendshëm të armatosur”.
Qeveria reagoi duke shpallur bandën famëkeqe Los Choneros – të cilën e drejtonte “Fito” – dhe 21 grupe të tjera kriminale si organizata terroriste, në kuadër të një fushate të gjerë kundër krimit të organizuar.
Në shkurt 2024, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj Macias dhe grupit të tij për shkak të përfshirjes në trafikim droge dhe akte të dhunshme në gjithë Amerikën Latine.
Pas arrestimit, presidenti Noboa deklaroi se autoritetet “po punojnë për të ekstraduar ‘Fiton’ drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës” dhe janë në pritje të përgjigjes zyrtare nga pala amerikane