Përfaqësuesi i GUXO-s, Faton Peci, ka komentuar pas takimit të liderëve politikë të thirrur nga Albin Kurti për daljen nga kriza institucionale që pasoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai kritikoi qasjen paragjykuese të disa pjesëmarrësve dhe theksoi se në tryezë u ofruan dy propozime konkrete për rrugëdalje.
“Fryma që synova gjatë diskutimit u paragjykua si farsë nga disa, madje pa nisur ende debati. Këto epitete u përdorën ende pa hyrë në diskutime”, deklaroi Peci, duke nënvizuar rëndësinë e një qasjeje të sinqertë dhe konstruktive.
Ai shtoi se nuk është e dobishme të keqinterpretohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përmes dëshirave individuale apo interesave të ngushta politike.
“Nuk duhet të bëhemi pjesë e ‘fontanës së dëshirave’ në interpretimin e aktgjykimit. Janë disa terma të qarta që duhet të respektohen, përfshirë afatin 30-ditor që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese,” tha ai.
Peci propozoi që rruga për dalje nga kriza të kalojë përmes një marrëveshjeje politike gjithëpërfshirëse, e cila përfshin zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit si pjesë e një pakoje të përbashkët.
“Edhe unë kam paraqitur një propozim konkret: të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, në kuadër të një pakoje për dalje nga kriza”, theksoi ai.