Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku më 6 shtator në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ do të përballet me Rumaninë, e tri ditë më vonë me Qipron në Larnaca.
Këto dy ndeshje zhvillohen në kuadër të Grupin 2 të Ligës C, e ku Kosova synon të tregojë vlerat e saj dhe të fitojë grupin për t’u promovuar në Ligën B.
Në seancën e sotme stërvitore, mbrojtësi Lumbardh Dellova u stërvit veçmas nga grupi, ndërsa pjesë e ekipit të parë ishte edhe futbollisti i Kombëtares U21, Andi Hoti.
E sulmuesi Albion Rrahmani, i cili aktualisht është në formë të shkëlqyer me klubin e tij të ri Sparta, ndau emocionet e tij për ndeshjen e ardhshme dhe përkrahjen e madhe që pret nga tifozët.
“Atmosfera është shumë e mire. Jemi duke punuar jashtëzakonisht shumë mire i gjithë grupi. Jemi të fokusuar 100% për ndeshjen hapëse të këtij cikli të ri të Ligës së Kombeve dhe jemi të gatshëm ta bëjmë 100% dhe t’i marrim tre pikët e para. Po shpresoj që së pari të më jepet mundësia dhe pastaj do ta jap maksimumin që ta tregoj veten. Jam në një moment shumë të mirë me klubin e ri dhe shpresoj ta kem atë moment edhe në kombëtare. Shpërthimi te Sparta? E kanë pritur shumë mirë, duke ditur se jam edhe transferimi më i shtrenjtë i klubit dhe qysh në dy ndeshjet e para kam shënuar dhe kam bërë asistim. Po shpresoj të mos ndalem e ta ndihmoj ekipin që ta fitojë edhe titullin që është synim i yni. Mesazhi për Dardanët? I presim të gjithë të vijnë e të na përkrahin sepse së bashku mund të arrijmë gjëra të mëdha, ata në tribuna e ne e bëjmë punën tonë në fushë. Forca Dardanët”, ka thënë Rrahmani.