Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë sot një moment emocional dhe të veçantë përmes një postimi prekës, duke bërë të ditur se kishte nderin dhe kënaqësinë të kurorëzonte martesën e Çlirimtares, bijës së Heroit të Kombit, Agron Rrahmani,shkruan Raporto24
“Agron Rrahmani ishte simbol i qëndresës, i cili ra me nder në Prishtinë në maj të vitit 1998, duke dhënë jetën për lirinë. Sot, e bija, Çlirimtarja, vazhdon trashëgiminë e tij, duke kurorëzuar dashurinë me Erdin Aliajn”, ka shkruar Rama.
Ai theksoi se emri Çlirimtare nuk është vetëm një emër, por një betim i përjetshëm, një amanet që duhet bartur me krenari dhe dashuri.
“Uroj që rrugëtimi i saj i ri në jetë, bashkë me Erdin, të jetë i mbushur me lumturi, forcë dhe besim në idealet që i kanë mbajtur gjallë brezat. Qofshi shembull i dashurisë, qëndresës dhe besimit në një të ardhme më të mirë për ne dhe për gjithë kombin. Ruani dhe përçoni me krenari emrin e Heroit”, përfundon urimin e tij kryetari i Prishtinës./Raporto24