Interesimi global për Kupën e Botës FIFA 2026™ ka arritur nivele të jashtëzakonshme, me pesë milionë kërkesa për bileta të regjistruara vetëm në 24 orët e para të hapjes së fazës së tretë të shitjes. Tifozë nga mbi 200 shtete dhe territore aplikuan përmes FIFA.com/tickets, të nxitur nga entuziazmi për edicionin e parë me 48 ekipe, i cili do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Ndeshjet më të kërkuara
Kërkesa më e madhe ka qenë për ndeshjen derbi të fazës së grupeve Kolumbi – Portugali që do të luhet më 27 qershor në Miami. Katër ndeshje të tjera që kryesojnë listën janë:
Brazil – Marok (New York/New Jersey, 13 qershor) Meksikë – Kore e Jugut (Guadalajara, 18 qershor) Ekuador – Gjermani (New York/New Jersey, 25 qershor) Skoci – Brazil (Miami, 24 qershor)
Këto pesë sfida përfshijnë nëntë kombëtare nga pesë kontinente të ndryshme, duke dëshmuar shtrirjen globale të turneut.
Shtetet me kërkesën më të lartë
Pas tri vendeve pritëse – SHBA, Kanada dhe Meksikë – dhjetëshja e vendeve me më së shumti kërkesa për bileta përfshin: Kolumbinë, Anglinë, Ekuadorin, Brazilin, Argjentinën, Skocinë, Gjermaninë, Australinë, Francën dhe Panamanë.
Interesi i lartë nga Amerika e Jugut dhe Qendrore tregon për atmosferën e zjarrtë që pritet të mbizotërojë në turneun e vitit 2026. Ndërkohë, shfaqja e Skocisë në top-listë pas 28 vitesh mungesë në Botëror ka shtuar edhe më shumë pritjet e tifozëve.
Procesi i aplikimit për bileta
Faza e shortit për përzgjedhjen e rastësishme (Random Selection Draw) mbetet e hapur deri më 13 janar 2026, në orën 11:00 ET (17:00 CET). Koha e dorëzimit të kërkesës brenda këtij afati nuk ndikon në gjasat për sukses.
Tifozët mund të zgjedhin ndeshjet, kategoritë e biletave dhe numrin e tyre sipas kufizimeve familjare. Që nga 15 dhjetori 2025, do të jetë funksional edhe tregu zyrtar i rishitjes në FIFA.com/tickets.
Të gjithë aplikuesit duhet të jenë mbi 18 vjeç. Fitimi në short nënkupton blerje automatike të biletave, sipas autorizimit të dhënë në kartën e pagesës.
Pako premium dhe udhëtime të organizuara
Tifozët që kërkojnë përvoja të nivelit të lartë mund të blejnë pako mikpritjeje (hospitality), që përfshijnë dhe biletat e ndeshjeve, përmes On Location në FIFA.com/hospitality. Ndërkohë, pako të plota udhëtimi nga Qatar Airways ofrojnë bileta, fluturime, akomodim dhe transport.
Riinvestimi në futbollin botëror
Si organizatë jofitimprurëse, FIFA njofton se mbi 90% e buxhetit të investimeve për ciklin 2023–2026 do të rikthehen në zhvillimin e futbollit për meshkuj, femra dhe të rinj në të 211 federatat anëtare./Raporto24/





