Tifo-grupi Plisat ka reaguar ashpër pas zgjedhjes së Bekë Berishës në postin e kryetarit të Klubit të Basketbollit Sigal Prishtina, duke e cilësuar procesin si të paligjshëm dhe të turpshëm.
Në një reagim të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Plisat thonë se sot është mbajtur një “i ashtuquajtur kuvend”, i cili sipas tyre është organizuar në mënyrë të dhunshme, tinëzare dhe pa transparencë, nga persona që “nuk e duan klubin”,trasmeton Raporto24
Sipas Plisave, ky kuvend do të anulohet dhe zgjedhja e kryetarit është dashur të jetë e hapur, me garë për ide dhe vizion për zhvillimin e klubit. Ata akuzojnë udhëheqjen aktuale për veprime në prapaskenë, frikë dhe mungesë dashurie për klubin.
Në reagim thuhet se emërimi i Bekë Berishës nuk e mbulon, sipas tyre, keqmenaxhimin, vjedhjet dhe shkatërrimin e klubit, duke shtuar se ai nuk ka lidhje me klubin, sportin apo Kryeqytetin dhe se është i papërshtatshëm për këtë pozitë.
Plisat gjithashtu kanë përmendur me emër Blerand Stavilecin, Florian Miftarin dhe Arsim Svircën, duke i akuzuar për frikë dhe përpjekje për t’u fshehur pas figurave të jashtme, ndërsa paralajmërojnë se ata do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre si udhëheqës të klubit.
Në reagim përmendet edhe prania e Komandantit të Stacionit Policor të Prishtinës, Fatmir Balaj, në këtë kuvend, për të cilën Plisat kërkojnë sqarime, duke ngritur dyshime për intimidim dhe presion ndaj tyre.
Në fund të reagimit, Plisat theksojnë se nuk do të tërhiqen dhe se nuk e pranojnë këtë kuvend, kryesinë aktuale dhe kryetarin e zgjedhur, duke përfunduar me mesazhin:
“Plisat nuk zbrapsen! Klubi është i yni.”/Raporto24/






