Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim shefen e Misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, eurodeputeten Nathalie Loiseau, e cila i dorëzoi raportin përfundimtar të këtij misioni lidhur me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Presidentja Osmani e falënderoi eurodeputeten Loiseau dhe të gjithë anëtarët e misionit për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ajo theksoi se prezenca e këtij misioni, me kërkesë të saj, dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës për transparencë, llogaridhënie, sundim ligji dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike.
Osmani theksoi se zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një dëshmi e pjekurisë politike dhe qytetare në Kosovë, duke theksuar se edhe ky proces zgjedhor, i zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, konfirmoi se demokracia në Kosovë është e gjallë, e qëndrueshme dhe në përparim të vazhdueshëm.
Shefja e Misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve Loiseau e përgëzoi presidenten për angazhimin e Republikës së Kosovës në mbrojtje të vlerave demokratike dhe për organizimin paqësor të zgjedhjeve. Ajo vlerësoi pjekurinë e treguar nga qytetarët e Kosovës, si edhe bashkëpunimin e plotë të ofruar ndaj misionit vëzhgues.
Presidentja dhe shefja e misionit, Loiseau po ashtu diskutuan për rekomandimet e raportit për përmirësimin e mëtejmë të proceseve demokratike në vend.