No menu items!

Prishtina përballet me grumbullim mbeturinash, IKShPK: Rrezik nga përhapja e hepatitit A e kolerës

Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës ka bërë të ditur se menaxhimi i duhur i mbeturinave urbane është thelbësor për ruajtjen e një ambienti të pastër dhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, IKSHKP ka thënë se nga hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit.

Tutje në këtë njoftim nga IKSHPK, kërkohet që situata të tilla të mos përsëriten më.

Njoftimi i plotë:

Menaxhimi i duhur i mbeturinave urbane është thelbësor për ruajtjen e një ambienti të pastër dhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit. Kjo situatë krijon kushte të favorshme për zhvillimin e baktereve, parazitëve dhe insekteve, duke rritur rrezikun për përhapjen e sëmundjeve infektive si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksionet e traktit respirator.

Në aspektin mjedisor, mbeturinat kontribuojnë në ndotjen e tokës, ujërave dhe ajrit, duke dëmtuar ekosistemet dhe biodiversitetin. Djegia e tyre e pakontrolluar çliron tym dhe gaze të dëmshme si dioksinat dhe furanet, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje kronike të frymëmarrjes, alergji dhe, në raste të caktuara, edhe sëmundje kancerogjene.

Nga aspekti social, mungesa e menaxhimit të duhur të mbeturinave ndikon negativisht në cilësinë e jetës së qytetarëve, duke krijuar shqetësime në mjedisin ku ata jetojnë.

Kjo situatë ishte veçanërisht e dukshme javën e kaluar në Prishtinë, ku kontejnerët ishin të mbushur tej mase dhe mbeturinat ishin shpërndarë edhe jashtë tyre, për shkak të mosasgjësimit në kohë nga kompanitë përgjegjëse. Kjo paraqiste një rrezik serioz për shëndetin publik.

Rrezik shtesë paraqesin edhe qentë dhe macet endacake, të cilët shpërndajnë mbeturinat, duke rritur mundësinë për përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe krijuar zhurmë në lagjet e qytetit. Kapakët e kontejnerëve të hapur dhe kushtet klimatike me reshje shiu kanë favorizuar përhapjen e aromave të pakëndshme, duke ndikuar negativisht edhe në cilësinë e ajrit.

IKSHPK rekomandon:

Të bëhet largimi i rregullt i mbeturinave në çdo lagje të qytetit;

Të sigurohet funksionalizimi dhe mbyllja e kapakëve të kontejnerëve të mbeturinave; Të pastrohet rregullisht hapësira përreth kontejnerëve;

Të rregullohet menaxhimi i mbetjeve inerte që nuk largohen nga kompania “Pastrimi”;

Të ndalohet hedhja e materialeve ndërtimore dhe të ngjashme në pikat e grumbullimit të mbeturinave urbane, duke vendosur shenja të qarta ndaluese në secilën pikë grumbulluese.

Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, IKSHPK kërkon që situata të tilla të mos përsëriten më.

Foto e dërguar nga qytetarët në rrugën “Shaqir Igrishta”, e cila pasqyron gjendjen alarmante me grumbullimin e mbeturinave.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.