23 prill, 2025 – Prishtina ka dhënë një mesazh të qartë se është rikthyer fuqishëm në garë për trofe dhe dalje në Evropë. Skuadra kryeqytetase është kualifikuar në finalen e Kupës së Kosovës pas një fitoreje të madhe ndaj Dritës, me rezultat 3:0, në sfidën e kthimit të gjysmëfinales, të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndonëse përballë kishin liderin aktual të Superligës dhe njërën prej skuadrave më stabile të këtij edicioni, bardhekaltrit e drejtuar nga Arsim Thaçi shkëlqyen në çdo aspekt të lojës, duke e mbyllur gjysmëfinalen me rezultat të përgjithshëm 4:0 pas dy ndeshjeve.
Heroi i mbrëmjes për Prishtinën ishte Ardian Muja, që realizoi dy gola në pjesën e parë. Ai shënoi në minutën e 10-të pas një asistimi të saktë nga Ramiz Bytyqi, ndërsa gjeti rrjetën sërish në minutën e 39-të pas kombinimit me Leotrim Kryeziun. Në të dyja rastet me gjuajtje nga brendësia e zonës së 16-metërshit.
Vetëm pak minuta më pas, në fundin e pjesës së parë, Albin Krasniqi vendosi “vulën” e fitores me një supergol nga gjuajtja e lirë, që ngriti në këmbë tifozët prishtinas, të cilët përkundër reshjeve të shiut i qëndruan besnikë skuadrës së tyre të zemrës.
Kësisoj, në finalen e Kupës së Kosovës do të ballafaqohen Prishtina dhe Llapi. Kjo do të jetë përballja e parë e këtyre dy skuadrave në një finale të kupës. Për Prishtinën kjo është hera e tretë radhazi që do të luajë në finale. Vitin e kaluar humbi nga Ballkani, kurse dy vjet më parë triumfoi ndaj Gjilanit.
Ndërkaq, për Llapin kjo është finalja e tretë në pesë vitet e fundit. Në dy herat e kaluara arriti edhe t’i gëzohet trofeut, në vitet 2021 dhe 2022.
Ndeshja finale është paraparë të zhvillohet më 14 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse fituesi krahas trofeut e siguron edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, më saktësisht në UEFA Europa League.