No menu items!

Priti vite për kombëtaren, kush është Qazim Laçi, emigranti që nuk pranoi të ndërronte emrin në Greqi

Qazim Laçi, një fëmijë emigranti lindur e rritur në Greqi, ndoshta nuk e kishte menduar se do të hynte në histori.

Familja e autorit të golit të parë në ndeshjen e Shqipërisë përballë Kroacisë, dha gjithçka që djali tyre të vishte fanellën e kombëtares kuqezi.

Futbollisti 28-vjeçar, me origjinë nga Dibra, është rritur në shtetin grek, ku është përballur edhe me paragjykime për të ndryshuar mbiemrin, gjë të cilën nuk e pranoi kurrë dhe as mohoi origjinën.

Tashmë ai e ka shkruar emrin në historinë e kampionatit europian.

Laçi u thirr për herë të parë me Kombëtaren Shqiptare në vitin 2020, nga tekniku Edi Reja, ndërkohë që fitoi edhe besimin e Silvinjos, për ta grumbulluar në listën e Kombëtares për ndeshjet e këtij kampionati europian.

Laçi së fundi luan me Spartën e Pragës në Çeki, e cila këtë vit ka zhvilluar një sezon të mirë, duke fituar njëkohësisht edhe Kampionatin vendas edhe Kupën, ndërsa talenti i kombëtares kuqezi ka luajtur një rol të rëndësishëm për ekipin.

Krenarinë e grumbullimit me kombëtaren, Laçi nuk e ka fshehur në asnjë moment, ndërsa pas ndeshjes së djeshme, karikoi djemtë e tjerë të ekipit që të mund të shpresojnë për një rezultat pozitiv, në ndeshjen e fundit në grup, atë përballë Spanjës.

“Ashtu si shkoi ndeshja me atë gol në fund, ne e meritonim të paktën një pikë. Ishte performancë shumë e mirë. Jam shumë i lumtur për golin, por më shumë rëndësi kanë pikët sepse tani kemi më shumë besim, për ndeshjen me Spanjën që do të jetë shumë e vështirë dhe pse jo më pas të mos tentojmë për vendin e dytë apo të tretë”, tha Laçi pas ndeshjes me Kroacinë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU