Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ka filluar një hetim lidhur me kontratën për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, projekt që tashmë ka hyrë në fazën e zbatimit që nga 1 korriku, kur u vendosën gurthemelet, raporton Gazeta Sinjali.
Në një njoftim për media, kjo prokurori sqaron se nuk ka asnjë rol në miratimin apo vlerësimin e projekteve infrastrukturore, por detyra e saj ligjore është që të ndërhyjë kur ka dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.
Prokuroria Speciale nuk e ka në kompentencë të vlerësojë apo të aprovojë ndonjë projekt infrastrukturor, por theksojmë se roli i PS-së është të veprojë bazuar në ligjet në fuqi, në rastet kur ekzistojnë dyshime për keqpërdorim të fondeve publike. PS-ja, nëpërmjet pesë prokurorëve të angazhuar, i ka aktualisht në trajtim afër 2 mijë kontrata një burimore. Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Ky hetim nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”, thuhet në përgjigjen e kësaj Prokurorie.