Kosovës, e sollëm këtë kujtim edhe në institucione. Duke njohur vuajtjet e popullit boshnjak, në vitin 2021, Kuvendi i Republikës sonë miratoi një rezolutë që e dënon gjenocidin në Srebrenicë, ndërkaq vitin e kaluar, në mbledhjen e 212-të të Qeverisë së Kosovës, e shpallëm 11 korrikun Ditë Memoriale në përkujtim të gjenocidit të Srebrenicës. Vit pas viti, përpiqemi të mbajmë gjallë kujtimin, jo vetëm si një detyrë politike, por si një borxh njerëzor.
Sepse adresa e këtij krimi nuk mund të ndalet në Bosnje dhe Hercegovinë. Fillet e tij çojnë në Beograd, në zemrën e një politike shtetërore që mbolli urrejtje dhe vdekje. Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq ishin vetëm duart që zbatuan planin, por mendja dhe fryma e këtij krimi vinin nga më lart. Dënimet e tyre janë dëshmi se drejtësia vonon, por nuk humbet.
Çdo dëshmitar si z. Hrnjiq, çdo libër si ky që kemi sot në dorë, është dëshmi që duhet respektuar dhe afirmuar. Sepse kujtimi është rruga drejt drejtësisë. Dhe drejtësia është rruga drejt paqes së vërtetë.
Ju falënderoj të gjithëve që keni kontribuar që ky zë të flasë edhe në gjuhën shqipe. Dhe ju falënderoj që jeni këtu, për të dëgjuar, për të kujtuar dhe për të besuar se e vërteta, sado e vonuar, gjithmonë ka forcën të flasë dhe të thërrasë.
Ju falemnderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen!