Promovohet libri “Shtëpitë-Shkolla” i Fadil Aliut, një dëshmi e gjallë e qëndresës arsimore

Një ngjarje e veçantë për arsimin dhe fushën e botimeve u konsiderua promovimi i librit “Shtëpitë-Shkolla” të autorit Fadil Aliu, i cili u mbajt sot në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.
Libri trajton një periudhë të rëndësishme të historisë sonë të afërt, duke sjellë dokumente, intervista dhe dëshmi autentike të ruajtura në muzeun “Shtëpitë-Shkolla” të familjes Hertica. Përmes këtij botimi, lexuesi nuk rikthehet vetëm në një të kaluar jo shumë të largët, por njihet me një kapitull të rëndësishëm të ruajtjes së arsimit shqip dhe të kujtesës kolektive në kohë sfiduese.

Fjalë përshëndetëse mbajti Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, i cili vuri në pah rëndësinë e trashëgimisë arsimore dhe historike që dokumenton libri.
“Libri na kthen në vitin 1990. Ata e mbajtën gjallë arsimin dhe arsimi e forcoi qëndresën. Kjo lidhje e fortë u bë themeli i ruajtjes së qenies shqiptare në tokën tonë stërgjyshore”, u shpreh Rama.
Rreth librit folën edhe recensentët, të cilët sollën reflektime të thella mbi peshën historike dhe kulturore të “Shtëpive-Shkolla”. Zijadin Gashi theksoi se në vitet ’90, përballë ligjeve diskriminuese dhe mohimit të arsimit shqip, mësimdhënësit dhe nxënësit e kthyen arsimin në akt qëndrese. Ndërsa Munish Hyseni u shpreh se libri është një nderim për ata që me sakrificë mbajtën gjallë shkollën shqipe dhe shpresën për liri.
Autori Fadil Aliu, gjatë fjalës së tij, theksoi rëndësinë e kujtesës historike:
“Kujtesë e rikujtesë. Vitet ikin, gjeneratat ndërrohen, ndërsa e sotmja dhe e nesërmja peshojnë mbi themelet e djeshmes”.
Në fund të aktivitetit, Drejtoresha Naime Beqiraj shprehu mirënjohje për Mehmet Aliu-Hertica, për kontributin e tij të çmuar gjatë viteve ’90 në ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit shqip.
Në promovim ishin të pranishëm edhe anëtarë të familjes Hoxhaj nga Uça e Istogut, tre pjesëtarë të së cilës – Bajram Hoxhaj, si dhe kushërinjtë e tij Hasan dhe Muharrem Hysenaj – ranë dëshmorë më 31 janar 1992 duke mbrojtur shkollën dhe nxënësit shqiptarë. Në emër të familjes foli Nexhmedin Hoxhaj, i cili hodhi poshtë tezat se mësimi zhvillohej normalisht gjatë regjimit serb, duke theksuar se “për shkollën shqipe është derdhur gjak”.
Ngjarja u moderua nga gazetarja Gili Hoxhaj, mbesa e dëshmorit Bajram Hoxhaj, ndërsa në përmbyllje autori dhuroi libra falas për të pranishmit./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU