Gjatë një stuhie, ekspertët paralajmërojnë që të shmangni larjen me ujë – dhe arsyeja është shumë serioze.
Sipas Washington Post, që citon mendimet e specialistëve, gjasat për t’u goditur nga rrufeja janë mjaft të ulëta – më pak se 1 në 1 milion në SHBA, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Megjithatë, një numër i vogël njerëzish goditen çdo vit, kryesisht gjatë verës dhe shpesh në ambiente të hapura.
Brenda në shtëpi, rreziku është shumë më i vogël, por jo i pashmangshëm. Chris Vagaski, meteorolog në Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Rrufeve, shpjegon se nëse rrufeja godet një ndërtesë, rryma elektrike mund të udhëtojë përmes rrjetit elektrik ose sistemit të ujësjellësit. Kjo do të thotë se nëse gjatë asaj kohe jeni duke bërë dush ose prekni ujë, mund të përjetoni një goditje elektrike.
Tubacionet metalike janë përçues të shkëlqyeshëm të rrymës, por edhe tubat plastikë nuk e eliminojnë rrezikun, sepse uji vetë përcjell energjinë elektrike, siç thekson Keith Sherburn nga Shërbimi Kombëtar i Motit.
Edhe pse rastet e goditjes fatale gjatë dushit janë të rralla dhe nuk është regjistruar asnjë vdekje e tillë në SHBA në 20 vitet e fundit, ekspertët këshillojnë që të shmangni dushin, larjen e duarve, enëve apo rrobave gjatë një stuhie, për të mos rrezikuar jetën.