PSG motivon yjet me bonus milionësh për triumfin në finalen e Ligës së Kampionëve

Lojtarët e Paris Saint-Germain kanë një motiv shtesë për finalen e madhe të Ligës së Kampionëve, pasi klubi francez ka paraparë një bonus të jashtëzakonshëm në rast triumfi.

Sipas raportimeve nga Franca, çdo futbollist i ekipit të parë do të përfitojë rreth 1 milion euro nëse PSG arrin të mposhtë Arsenalin dhe të ngrejë trofeun më prestigjioz evropian për klube.

Marrëveshja për bonuset është negociuar nga grupi i liderëve të skuadrës, ku bëjnë pjesë Marquinhos, Achraf Hakimi, Ousmane Dembele dhe Vitinha. Kjo politikë reflekton strategjinë e re të klubit, e cila fokusohet më shumë te shpërblimet kolektive sesa te bonuset individuale.

Drejtuesit e PSG-së besojnë se një qasje e tillë forcon frymën e grupit dhe rrit motivimin e skuadrës në ndeshjet vendimtare.

Nëse parisienët arrijnë suksesin në finalen e madhe, pagesa e parashikuar për lojtarët do të konsiderohej ndër bonuset më të larta të shpërndara ndonjëherë nga një klub futbolli për një arritje sportive.

Tashmë mbetet të shihet nëse PSG do ta kurorëzojë sezonin me trofeun e Ligës së Kampionëve dhe do të shpërblejë lojtarët e saj me këtë shumë marramendëse.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU