No menu items!

Qeveria angazhon ish-Guvernatorin e Bankës Çeke në arbitrazhin 30 mln eurosh

Zhdenek Tuma, ish-Guvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës Çeke do të ofrojë shërbime ligjore për Qeverinë e Kosovës në rastin e Arbitrazhit Ndërkombëtar me “Iute Credit”.

35 mijë euro do të përfitojë nga Ministria e Drejtësisë, Zhdenek Tuma, një ekspert financiar nga Republika Çeke, për përpilimin e ekspertizës ligjore për rastin e “Iute Credit”, e cila kërkon rreth 30 milionë euro nga Republika e Kosovës në Arbitrazh.

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit vitin e kaluar i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, e ka dërguar Kosovën në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Procedurat e Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar kërkojnë dorëzimin e një ekspertize ligjore nga pala e paditur – në këtë rast Qeveria e Kosovës.

Këtë shërbim, qeverisë do t’ia kryejë Zhdenek Tuma, ish-Guvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës Çeke.

Tuma është kontraktuar sot nga Ministria e Drejtësisë për përpilimin e ekspertizës financiare në rastin e kontestit ligjor mes qeverisë dhe institucionit mikrofinanciar “Iute Credit” në Arbitrazh.

Ai do të paguhet 35 mijë euro nga paratë e taksapaguesve kosovarë për përpilimin e ekspertizës, bazuar në kontratën e publikuar sot nga Ministria e Drejtësisë.

Marrëveshja kontraktuale mes MD-së dhe Zhdenek Tumanit, është arritur pas negociatave mes dy palëve. Tuma është ftuar për negocimin e kontratës direkt nga Ministria e Drejtësisë.

Njeriu që do të kryejë ekspertizën financiare në rastin ku Kosova rrezikon të humbë 30 milionë euro në Arbitrazh, ka përvojë të gjatë në institucionet më të larta financiare në Republikën e Çekisë.

Tuma, shërbeu si Guvernator i Bankës Kombëtare të Republikës Çeke për dhjetë vjet. Nga viti 2000, deri më 2010.

Në vitin 2010, pasi u dorëhoq nga pozita e Guvernatorit të Bankës Kombëtare, Tuma kandidoi për kryetar të Bashkisë së Pragës në zgjedhjet lokale të atij viti. Por, megjithëse doli kandidati më i votuar në Pragë, dështoi të bëhej kryetar për shkak të pamundësisë për të formuar shumicën në Këshillin Bashkiak.

Që nga viti 2011, Tuma është dorëhequr nga funksionet publike. Është rikthyer në sektorin privat dhe merret me ofrimin e shërbimeve financiare.

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, e ka dërguar vitin e kaluar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë.

Sipas një njoftimi për media, institucioni privat e konsideroi të paligjshme revokimin e licencës së saj nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Pasi që Banka Qendrore e Kosovës nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur dhe të paligjshme të licencës nga Iute Credit Kosova, kompania mëmë ka paraqitur një kërkesë për arbitrazh në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë”, tha Iute Credit në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Drejtori i Përgjithshëm i IuteCredit Europe, Tarmo Sild tha se Ligji mbi Investimet e Huaja saktëson qartë se e lejon një investitor të huaj që është trajtuar padrejtësisht, në vend që të përdorë mjete juridike vendore, të ndjekë arbitrazhin.

“Ne kemi përjetuar dhe konkluduar deri tani, se në Kosovë nuk mund të mbështetet në një proces gjyqësor vendor ose administratë publike transparente, që bazohet në sundimin e ligjit. Kjo është arsyeja pse ne kemi zgjedhur rrugën që është më efikase për të korrigjuar situatën, ku Banka Qendrore e Kosovës ka revokuar papritur dhe në mënyrë të paligjshme licencën e biznesit nga filiali ynë në Kosovë, dhe për të vazhduar në arbitrazhin ndërkombëtar”, tha Sild.

Ai tha se kjo ishte një shkelje e detyrimeve të Kosovës sipas Ligjit të saj për Investime të Huaja ndërsa nuk kishte asnjë arsye të vlefshme për këtë veprim. /Paparaci.com

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.