Vetëm dy javë pas marrjes së postit si kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe qeveria e tij kanë miratuar vazhdimin e pjesëmarrjes së Bundeswehr-it në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, konfirmoi për Klan Kosova se Kosova stabile dhe paqësore është prioritet për Gjermaninë, NATO-n dhe të gjithë Evropën. Ai theksoi se kontributi gjerman në KFOR do të vazhdojë në të njëjtin nivel, si në personel ashtu edhe në përfshirjen në ekipet ndërlidhëse dhe këshilluese të NATO-s.
Vendimi pritet të kalojë në Bundestag për miratim, ndërsa Gjermania e sheh rolin e saj në rajon si jetik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kohë kur tensionet në veri të Kosovës mbeten të pranishme.
Përveç përfshirjes në Kosovë, Gjermania ka rritur praninë e saj ushtarake edhe në krahun lindor të NATO-s. Kancelari Merz dhe ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, vizituan këtë javë Lituaninë, ku njoftuan vendosjen e 5,000 trupave gjermane në kufi me Rusinë dhe Bjellorusinë. Kjo lëvizje përfaqëson dislokimin më të madh të Bundeswehr-it jashtë vendit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas Merz, Gjermania nuk ka më iluzione për regjimin e Vladimir Putinit, ndërsa kjo prani ushtarake forcon mbrojtjen e secilit territor të NATO-s.