Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar Epopenë e Lavdishme të Dukagjinit përmes një postimi në Facebook, duke theksuar rëndësinë historike të 24 Marsit – një datë që shënon dy momente kyçe për Kosovën: fillimin e qëndresës heroike në 1998 dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s në 1999.
“Me 24 Mars 1998, ranë tre djem të rinj – Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj – por nuk u thyem! Flamurin e tyre e mbajtëm lart, për UÇK-në çdo i rënë ishte plagë e mbështjellë me frymëzim që të mos ndalonim deri në momentin kulmor – ditën kur NATO, në krye me SHBA, dha sinjalin që Kosova po çlirohej,” shkruan Haradinaj.
Ai theksoi se sot, më shumë se kurrë, duhet të nderohen të rënët për liri, aleatët ndërkombëtarë dhe angazhimi i përbashkët që ndali përgjithmonë regjimin shtypës në Kosovë.
“NATO në qiell e UÇK në tokë ndaluan përfundimisht kasapin e Ballkanit dhe i dhanë Kosovës atë që i takonte – lirinë dhe pavarësinë.”
Lavdi dëshmorëve të kombit!