Ish-kryeministri dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot me emocion të thellë Ditën e Çlirimit të Shqiponjës – vendi që ka qenë një nga bazat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një rrëfim për herë të parë për betejën e 17 majit 1999, Haradinaj tregon se si nisi një nga sulmet më të guximshme ndaj ushtrisë serbe në Jabllanicë. “Ata filluan të na godasin pa mëshirë, nuk lanë mjet pa përdorur… derisa erdhi grupi tjetër, dhe ato minuta m’u dukën si 100 vjet,” kujton ai me emocion,shkruan Rapprto24
Fitorja në këtë betejë, e cila më vonë u përmend edhe nga zëdhënësi i NATO-s në selinë e aleancës, konsiderohet si një nga goditjet më të fuqishme ndaj makinerisë serbe, duke ngritur moralin e luftëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë popullit shqiptar.
Në postimin e tij në Facebook, Haradinaj shkruan:
“Shqiponja, simboli i qëndresës dhe krenarisë kombëtare, sot shënoi Ditën e Çlirimit, duke kujtuar me nderim dhe krenari sakrificën shekullore të shqiptarëve për liri. Ky vend, që nga fillimi i luftës, ishte strehë e UÇK-së dhe reflektim i shpirtit liridashës të popullit tonë.”
Ai shton se mijëra luftëtarë janë nisur nga ky vend drejt betejave më të lavdishme të historisë moderne shqiptare.
“Sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, përkulemi me respekt të thellë para gjakut të derdhur për liri. Lavdi përjetë dëshmorëve të UÇK-së. Nder e krenari për çdo familje që dha më të dashurit për lirinë që gëzojmë sot,” përfundon Haradinaj./Raporto24
Me zemër në Shqiponjë – Ramush Haradinaj nderon luftën dhe dëshmorët e UÇK-së