Rasti që u raportua si rrëmbim i një të miture në orët e para të mëngjesit të 21 majit në Fushë Kosovë, pas hetimeve të thelluara, ka rezultuar të jetë inskenim i rastit, transmeton IndeksOnline.
Fillimisht, rreth orës 00:45, ishte raportuar se një vajzë e mitur ishte futur me forcë në një veturë nga persona të panjohur dhe më pas ishte liruar rreth një orë më vonë. Gjatë incidentit të pretenduar, në përpjekje për të parandaluar ngjarjen, ishte lënduar lehtë edhe nëna e vajzës.
Pas kësaj, njësitë e hetimeve të Stacionit Policor në Fushë Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ndërmorën veprime të menjëhershme hetimore duke përdorur të gjitha mjetet profesionale dhe teknike për ndriçimin e rastit.
Si rezultat i analizave të hollësishme, veprimeve të koordinuara dhe verifikimeve të shumta, Policia ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë rrëmbim, por bëhet fjalë për një kallëzim të pavërtetë.
Hetimet janë ende në vijim dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorin kompetent, është duke punuar për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore që rrjedhin nga ky rast.