Policia ka dhënë detaje për ngjarjen që ka ndodhur në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku tha se një person ka rënë nga lartësia e një ndërtese.
Sipas policisë, i dyshuari po kërkohej me urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar për veprën penale “vrasje e rëndë”.
“Bazuar në informacionet e para nga vendi i ngjarjes, i dyshuari i cili po kërkohej me urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar, për veprën penale vrasje e rëndë, në përpjekje për t’iu shmangur arrestimit policor, ka rënë nga një lartësi dhe për pasojë ka pësuar lëndime trupore”.
“Të njëjtit menjëherë i është ofruar tretmani mjekësor, për tu transferuar më pas në QKUK”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, policia tha se në bashkëpunim me aktorët e tjerë përkatës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në lidhje me rastin, për Klankosova.tv ka folur drejtori i QKUK-së, Naser Syla, i cili tha se personi që është pranuar është në gjendje të rëndë shëndetësore.