No menu items!

Rënie drastike e Kosovës në lirinë e medias

Kosova renditet e 99-a në botë nga 180 shtete në indeksin vjetor të 2025-s për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij.

Është viti i dytë radhazi që në këtë indeks Kosova shënon rënie, ku në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në vendin e 75-të.

Në indeks, Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-i, Maqedonia e Veriut 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-a.

Në raport thuhet se liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve.

Thuhet tutje se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.

“Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave, iu nënshtrua një reforme legjislative kontraverse që rrezikon të pengojë më tej pavarësinë e tij. Para zgjedhjeve të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, e cila kërcënoi edhe pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën  presionin e forcave politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacion publik, veçanërisht në gjuhën e tyre”, thuhet në raport.

Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale dhe se “akuzohen padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”.

“Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale dhe po ashtu për shkak të tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë kanë qenë cak i përgjimeve. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, ato rrallë rezultojnë me ndjekje penale”, u tha në raport.

AGK: Rënie alarmuese në lirinë e shtypit

Rënie alarmuese në lirinë e shtypit e ka vlerësuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.  Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se është i alarmuar me “një rënie të re drastike të Kosovës në renditjen e re të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit”.

“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK ka bërë thirrje për punë të përbashkët të akterëve institucionalë me shoqërinë civile, përfshirë për hartimin e një ligji të ri të KPM-së.

Ligji për KPM-në i miratuar vitin e kaluar parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro. Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi ligjin pasi gjeti se disa nene nuk ishin në përputhje me Kushtetutën

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.