Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se për herë të parë që nga ndërtimi i Termocentralit “Kosova B”, ka nisur procesi i modernizimit të njësive ekzistuese dhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese të këtij objekti strategjik energjetik.
“Për herë të parë që nga ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova B’, pas më shumë se katër dekadash, ka filluar modernizimi i njësive ekzistuese dhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese,” shkroi Rizvanolli në një postim në Facebook.
Sipas saj, ky modernizim po realizohet me një investim prej 56.5 milionë euro, të cilat janë tërësisht të financuara nga KEK-u, pa marrë kredi apo borxh.
“Po ndërmerret një hap i rëndësishëm drejt sigurisë energjetike dhe përgjegjësisë publike,” theksoi ministrja në detyrë.
Vetëm gjatë vitit 2025, pritet një rritje prej +15 megavatësh në kapacitetin prodhues, çka konsiderohet një përparim i madh në rritjen e qëndrueshmërisë energjetike të vendit. /Telegrafi/