Arijanet Muric është pika e fortë e Kosovës tani e gjashtë vite, pasi ai me pritjet e tij i ka dhënë shumë emocione gjithë shqiptarëve që nga viti 2018.
Por ditë më parë ai u përjashtua nga Kombëtarja e Kosovës, për ndeshjen e dytë ndaj Qipros pasi kishte thyer rregulloren e brendshme të Kombëtares.
Ai së bashku me bashkëlojtarët e tij Edon Zhegrova dhe Florent Muslija kishin dalë në mbrëmje dhe kjo bëri që përzgjedhësi Franco Foda dhe FFK të marrin vendim për përjashtimin e tyre nga grumbullimi dhe kjo treshe nuk ishte në Qipro në sfidën ku Kosova fitoi me rezultat 0-4.
Në një intervistë për Telegrafin, Aro Muric ka folur rreth situatës së tij te Kosova, klubin e tij Ipswich Town dhe të ardhmen.
E në pyetjen e parë se çfarë ndodhi atë natë, ai thotë se e rëndësishme ishte vetëm fitorja e Kombëtares ndaj Qipros.
Jam shumë i lumtur që Kombëtarja fitoi në Qipro, kjo është gjëja më e rëndësishme, fitorja e Kosovës”, tha fillimisht Aro.
25-vjeçari tregon se ditën e shtunë, një ditë pas humbjes nga Rumania 0-3 futbollistët dardanë e kishin të lirë dhe ai kishte dalë për ushqim.
“Ne e kishim pushim ditën e shtunë dhe shkuam për ushqim dhe për të marrë pak ajër të pastër pasi ishim gjithmonë në hotel të mbyllur. Pjesa tjetër ishte thjesht gënjeshtër dhe gjëra që u sajuan”, tha Aro Muric.
Trajneri i Ipswich Town, Kieran McKenna tha në konferencë për shtyp se klubi anglez e përkrahë atë, derisa vet Aro tha se është pritur mirë në klub.
“Pa marrë parasysh gjithçkaje, më mirëpritën sikur nuk jam larguar në asnjë moment. Shumë pozitive ishte pritja në klub”, vazhdoi tutje Aro.
Portieri dardan është pjesë e Kosovës që nga viti 2018, derisa deri më tani ka mbrojtur në 39 ndeshje ku në 10 prej tyre ka mbajtur portën e paprekur.
thotë se do të jetë pjesë e Kosovës për gjithë jetën pasi sa herë është në fushë jep maksimumin dhe luan me gjithë zemër.
“Jam pjesë e Kosovës që gjashtë vite dhe do të jem gjatë gjithë jetës. Nuk ka rëndësi se çfarë vendimi merret në të ardhmen, unë luaj për Kosovën me gjithë zemër dhe do të jem gjithmonë kur të ftohem. Luaj për tifozët që po na mbështesin dhe për atë që na kanë dhënë gjatë gjithë kohës”.
“Jam shumë mirënjohës për këto gjashtë vite, kështu që asnjë marrëdhënie me trajnerët apo ndonjë në federatë nuk do të më bëjë të mendoj ndryshe. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodhë, unë do të jem gjithmonë aty për Kosovën sa herë të kërkohet ndihma ime”, tha Aro Muric.
Përkundër humbjes nga Rumania, Aro beson se do të luftojnë deri në ndeshjen e fundit për kualifikim.
Ai thotë se është çështje kohe kur Kosova do të kualifikohet në një ngjarje të madhe.
“Ne kurrë nuk dorëzohemi, jo sot, por deri në ditën e fundit do të luftojmë. Do të vijë dita që do të kualifikohemi dhe kjo është vetëm çështje kohe. Nëse nuk do ta besonim një gjë të tillë nuk do të luanim, por besojmë dhe do të luftojmë”, vazhdoi tutje Aro.
Muric në fund flet edhe për klubin e tij të ri Ipswich Town, ku u bashkua në verë nga Burnley për shumën e 10 milionë eurove.
Portieri dardan thotë se ka bërë zgjedhjen e duhur për tu transferuar te Ipswich, derisa ka treguar edhe objektivat që ka personale dhe me klubin.
“E shoh pozitiv transferimin tim te Ipswich. Kam bërë zgjedhjen e duhur, pasi kam njerëz të mrekullueshëm rreth vetës dhe jam shumë i lumtur që jam në këtë klub”.
“Objektivi im është të arrij nivelim tim më të mirë për ta ndihmuar klubin që të fitojë çdo ndeshje që mundemi dhe të ndikoj çdo minutë që luaj njësoj si për klubin ashtu edhe për Kombëtaren”, përfundoi Aro Muric. /Telegrafi/