No menu items!

Serbia ia vazhdon paraburgimin ish-policit Arbnor Spahiu – reagon MPJD

Gjykata e Lartë e Suboticës në Serbi ka marrë vendim për zgjatjen e masës së paraburgimit edhe për 30 ditë ndaj ish-policit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes një komunikate për media.

Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor 2025 nën dyshimet për përfshirje në rastin e Banjskës, megjithatë, sipas MPJD-së, deri më tani autoritetet serbe nuk kanë paraqitur asnjë provë që do ta justifikonte këtë ndalim.

“Prokuroria e Lartë e Suboticës ka iniciuar procedurë penale me pretendimet për përfshirje të z. Spahiu në rastin e Banjskës, megjithatë, sipas avokatit mbrojtës, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë apo dëshmi e besueshme që do të rëndonte pozitën e tij ligjore,” thuhet në komunikatë.

MPJD ka theksuar se Spahiu kishte lënë Policinë e Kosovës vite përpara ngjarjeve në Banjskë dhe kjo është dëshmuar përmes dokumenteve zyrtare të dorëzuara nga avokati i tij mbrojtës në gjykatë.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjen e Spahiut dhe ka njoftuar bashkëshorten e tij për vendimin e fundit të gjykatës.

Familjarët e Spahiut pritet që nesër, më 10 korrik, të udhëtojnë drejt Suboticës për ta vizituar atë, ndërsa kanë planifikuar edhe një takim me përfaqësues të Zyrës në Beograd.

MPJD ka bërë të ditur se do të dorëzojë një kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës institucionale tek Spahiu, dhe pret që kjo të miratohet brenda kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme.

MPJD rikonfirmon përkushtimin e saj që ky rast të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe obligimet që rrjedhin nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian,” thuhet tutje në reagim.

Institucionet kosovare kanë kritikuar vazhdimisht arrestimet që Serbia i ka bërë shtetasve të Kosovës, duke i cilësuar si veprime të njëanshme dhe të paprecedenta.

Ministria ka njoftuar se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast./Telegrafi/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.