Iran – 21 qershor 2025
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim të ngushtë me Izraelin, kanë ndërmarrë një operacion të madh ushtarak kundër kapaciteteve bërthamore të Iranit, duke goditur me sukses impiantin e pasurimit të uraniumit në Fordow, një ndër objektet më të siguruara dhe të mbrojtura në Republikën Islamike.
https://vm.tiktok.com/ZMSuacRn3/
Presidenti Donald Trump deklaroi se objektet iraniane janë “shkatërruar plotësisht” dhe e përshkroi operacionin si një “sukses ushtarak spektakolar”, që synon të pengojë ambiciet bërthamore të Teheranit.
Fordow – një bunker nën mal
Impianti bërthamor i Fordow ndodhet thellë nën një mal afër qytetit Qom, në jug të Teheranit. Ai është ndërtuar posaçërisht për t’i mbijetuar sulmeve ajrore, me strukturë betoni të blinduar nën 80 deri në 90 metra shkëmb. Për këtë arsye, goditja e tij është konsideruar prej kohësh e pamundur pa teknologji ushtarake shumë të avancuar, që vetëm SHBA-ja disponon.
Burime të sigurisë konfirmojnë se në sulm janë përdorur bombat bunker-buster të modelit GBU-57 “Massive Ordnance Penetrator”, të hedhura nga avionët strategjikë B-2 Spirit.
Irani paralajmëron pasoja
Ministria e Jashtme e Iranit ka reaguar ashpër, duke e quajtur ndërhyrjen e SHBA-së një “akt agresioni të paprecedent”, që përbën fillimin e një “lufte të rrezikshme” dhe të paparashikueshme. Teherani ka kërcënuar me kundërpërgjigje të fortë, ndërsa tensionet në rajon kanë arritur nivelet më të larta që nga viti 1979.
Viktimat dhe dëmet
Sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë në Iran, nga sulmet e fundit janë vrarë mbi 430 persona, përfshirë staf teknik dhe ushtarak në zonat e goditura. Në Izrael, si pasojë e kundërsulmeve me raketa iraniane, janë raportuar të paktën 24 viktima.
Bota në alarm
Ndërkombëtarisht, reagimet janë të përziera. BE, Rusia dhe Kina kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, ndërsa disa vende arabe janë në gjendje të lartë gatishmërie. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit për të shqyrtuar situatën./Raporto24/
https://romania.europalibera.org/a/trump-sua-atac-iran/33451302.html