Liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen më 28 dhe 29 shkurt në Tiranë.
Kështu e bë e ditur pas tryezës ministrore të zhvilluar sot me përfaqësuesit nga Ballkani Perëndimor për fushën e integrimit evropian, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR), mbi Planin e Rritjes.
“Ky ishte një takim përgatitor, në pritje të takimit të radhës të liderëve, të planifikuar në Tiranë në datat 28 dhe 29 shkurt, në ndjekje të objektivave për intensifikimin e përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së, krijimin e themeleve për hapat e ardhshëm në zbatimin e Planit të Rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me Komisionin Evropian”, thuhet në njoftimi.
Sipas njoftimit, në këtë takim, delegacioni i Republikës së Kosovës përbëhej nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
“Tema të diskutimit ishin përfitimet nga Plani i Rritjes dhe perspektiva e rrugës së integrimit në BE, forcimi i integrimit ekonomik me Tregun Unik të BE-së, si dhe mbështetja e përshpejtimi i reformave kyçe. Kujtojmë se Komisioni Evropian, në nëntor 2023, propozoi një Plan të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të zgjerojë përfitimet e Tregut Unik të Bashkimit Evropian në rajon përpara anëtarësimit formal, me synim kontributin pozitiv në rritjen ekonomike dhe përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike me BE-në”.