Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, ka njoftuar të dielën për një aksion të Policisë së Kosovës në Zveçan që rezultoi me gjetjen e armatimi për të cilin Sveçla tha se ishte i mjaftueshëm për një njësit terrorist.
Objekti, sipas Sveçlës, është pronë e politikanit serb në Kosovë, Aleksandar Arsenijeviq.
Po kush është Arsenijeviq i cili është mjaft aktiv në Veri viteve të fundit. Mediumi Danas kishte bërë një përshkrim për të, pasi shtatorin e vitit 2024 ishte arrestuar për shkak të përdorimit të një bilbili si formë kundërshtimi ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Arsenijeviq ka lindur më 24 gusht 1992 në Mitrovicën e Kosovës. Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematike në drejtimin e kimisë në Universitetin e Mitrovicës së Veriut. Ka punuar si mësimdhënës në shkollë të mesme, por, sipas tij, e ka humbur vendin e punës për shkak të përfshirjes në politikë dhe kandidimit për kryetar të komunës së Mitrovicës.
Aktualisht është në përfundim të studimeve në Fakultetin Juridik. Në një intervistë të mëhershme për gazetën “Danas”, ai ka treguar se ka qenë i zhvendosur gjatë luftës së vitit 1999. “Për serbët e Kosovës, edhe kolona e refugjatëve është më e pranueshme sesa ky lloj jete”, kishte deklaruar ai, duke propaganduar kështu një lloj tregimi që “serbët po persekutohen në Kosovë”. Arsenijeviq është kryetar i Demokracisë Serbe (SD)/Raporto24/
Sfeçla: U kap një arsenal armësh në Zveçan – i përket politikanit serb Aleksandar Arsenijevic