Evetar Zeqiri është shkarkuar të enjten (sot) nga posti i Kryeshefit Ekzekutiv i KOSTT (Korporata Energjetike e Kosovës), me një vendim që është marrë gjatë një mbledhjeje të Bordit të Drejtorëve të këtij institucioni.
Ky veprim erdhi pas dyshimeve që u shpalosën një ditë më parë në emisionin “Debat Plus”, ku u diskutua për disa kompani energjetike me aktivitet të dyshimtë, përfshirë shit-blerjen e energjisë me KEK-un dhe KOSTT-in.
Në emisionin Debat Plus, Ermal Panduri shpalosi dokumentet që lidhen me dyshimet ndaj Evetar Zeqirit, tashmë ish-kryeshef ekzekutiv të KOSTT-it.
Përgjatë emisionit, Panduri theksoi se ish-anëtarët e Bordit të KOSTT-it, të cilët kishin pasur dyshime për keqpërdorimet e mundshme të detyrës nga Zeqiri, kishin dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Speciale ai ka shkelur detyrat e tij financiare dhe ka ndërhyrë në aktivitetet e prokurimit, duke vendosur kritere diskriminuese dhe kërkuar që të gjitha specifikacionet teknike për projektet e KOSTT-it t’i dërgoheshin atij më herët, duke shkaktuar vonesa dhe përplasje me ligjin e prokurimit publik. Gjithashtu, në kallëzim penal thuhet se Zeqiri ka ndikuar në vendimmarrje të jashtëligjshme dhe për jo informimin e duhur të Bordit të Drejtorëve, duke bërë që KOSTT të pësojë dëme financiare.
Artikulli i Plot👇