Shqipëria përkujton 82-vjetorin e gjenocidit grek në Çamëri

Beqir SINA – Tiranë, qershor 2026

Shqipëria po përkujton me një sërë aktivitetesh 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, duke theksuar kujtesën historike, drejtësinë dhe trashëgiminë kulturore çame.

Java Çame nisi në fillim të javës në kryeqytet, me një simbol të fuqishëm kujtese. Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u vendosën gërmat e mëdha të istalacionit “I Love Çamëria”, që u bënë pikë reflektimi për qytetarët dhe vizitorët.

Kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj, në fjalën e tij përuruese të istalacionit ILove Çamëria, theksoi se kjo datë është moment i rëndësishëm ndërgjegjësimi historik për të gjithë shqiptarët. “Kujtesa për Çamërinë nuk është vetëm e së shkuarës, por edhe detyrim për të ardhmen”, tha ai.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili bëri thirrje për një angazhim më të madh institucional dhe kombëtar në mbështetje të Çështjes Çame. Ai theksoi se Çamëria, është pjesë e identitetit kombëtar shqiptar dhe se kërkesa për drejtësi ndaj shqiptarëve të Çamërisë mbetet një detyrim historik.

Aktivitetet e Javës Çame vazhduan me intensitet dhe do të kulmojnë më 29 qershor me homazhe në varrezat monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në fshatin Kllogjer të Sarandës, ku prehen eshtrat e rreth 2900 martirëve çamë.

Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Çamëria”, organizoi veprimtarinë zyrtare përkujtimore me temën “82-vjetori i gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë”.

Po ashtu, në Hotel Tirana International u zhvillua një tubim solemn me pjesëmarrjen e deputetëve, studiuesve, përfaqësuesve të komunitetit çam dhe personaliteteve të jetës publike e akademike. Në këtë aktivitet u hap edhe një foto-ekspozitë me tabloide të zmadhuara në sallën “Akrenia”.

Princi Leka e përshëndeti akademinë solemne, duke shprehur mbështetjen për kauzën çame.

Në vitin 1994, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin që shpall 27 qershorin “Ditën e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë” dhe parashikon ngritjen e një memoriali kombëtar.

Tragjedia e vitit 1944

Më 27 qershor 1944 nisi akti më tragjik i spastrimit etnik të Çamërisë. Forcat greke, pas takimit me myftiun, kryetarin e bashkisë dhe drejtorin e arsimit të Paramithisë, garantuan se nëse shqiptarët dorëzojnë armët, nuk do t’u ndodhte gjë.

Por paktin e thyen menjëherë. Sapo hynë në qytet, ushtarët grekë masakruan me qindra civilë shqiptarë.

Gjatë operacioneve ushtarake dhe sulmeve ndaj popullsisë civile u vranë mbi 3.000 shqiptarë, ndërsa mbi 30.000 të tjerë kryesisht myslimanë u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre. Popullsia shqiptare ortodokse u vu nën terror sistematik, me vrasje të parisë dhe varje publike të trupave për tri ditë e më shumë për të detyruar mohimin e identitetit kombëtar.

Gjatë ikjes së dhimbshme drejt Shqipërisë, rreth 2.400 persona gra, pleq e fëmijë humbën jetën nga uria, sëmundjet dhe vuajtjet e rrugës së gjatë.

Kujtesa si detyrim

82 vjet më vonë, përkujtimet në Tiranë dhe Sarandë, rikthejnë në vëmendje jo vetëm tragjedinë, por edhe nevojën për njohje ndërkombëtare të gjenocidit çam, kthimin e të drejtave të pronësisë dhe respektimin e trashëgimisë kulturore. Java Çame nuk është vetëm homazh, por edhe thirrje për drejtësi historike dhe unitet kombëtar.

Video : https://youtu.be/-iAcigYPFr0?si=V2VqzVobUgSXo0tJ

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU