No menu items!

‘Shteti ka dështuar’/ Psikologia flet për rastin e 11-vjeçares së dhunuar nga 11 persona dhe traumat nga dhuna seksuale

Pas përdhunimit të të miturës 11 vjeçare nga një grup prej 5 të rinjsh në Prishtinë, në rrjetet sociale u vunë re komente të shumta, ku fajësohej edhe vetë viktima. Gjithashtu informacioni që viktima ishte intervistuar nga Prokurori i rastit pas 16 ditësh, prej kur ishte denoncuar rasti më 21 qershor, ishte tronditës sa i përket shëndetit mental të të miturës.

Për të analizuar këtë problematikë Gazeta Sinjali ka kontaktuar me psikologen klinike, Brikena Krasniqi Hoti, e cila ka folur jo vetëm për skandalin e fundit  për të cilën ajo thotë se shteti ka dështuar, por edhe për të gjitha pasojat, traumat llojin e çrregullimeve dhe stigmat që iu bëhen viktimave të dhunës seksuale.

Sulmi seksual siç e quan psikologjia Brikena Hoti, mund të rezultojë në trauma të rënda fizike dhe emocionale. Kjo mund të shkojë edhe deri në tentativë për vetëvrasje.

“Sulmi dhe abuzimi seksual mund të rezultojë në trauma të rënda fizike dhe emocionale për viktimën. Intervenimi psikologjik/psikoterapeutik është i domosdoshëm për viktimën dhe duhet të jetë i individualizuar për personin, dmth duhet t’i përshtatet nevojave dhe gjendjes së viktimës“, tha Hoti për Sinjalin.

Sipas saj, sulmi seksual mund të pasohet me një sërë problemesh që zgjasin gjithë jetën.

“Sulmi seksual mund të çojë në një sërë problemesh që mund të zgjasin gjatë gjithë jetës, sikurse çrregullimet e ankthit, depresionit, çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD), çrregullimeve të të ngrënit dhe gjumit, tentativës për vetëvrasje”, u shpreh ajo.

Kujtojmë se e mitura pas ngjarjes tronditëse qe ka përjetuar ajo është vendosur në strehimore. E kjo sipas psikologes, do duhej të ndodhte pasi ta konstatonte psikologu, i cili nuk është siguruar menjëherë pasi ka ndodhur rasti, por pas 16 ditëve.

“Këtë vlerësim do të duhej ta bënte psikologu, pas vlerësimit të gjendjes së vajzës dhe të dilte me rekomandime. Çfarëdo supozimi tjetër që nuk bazohet në gjendjen e vajzës dhe nevojat e saj aktuale, mund të jetë jo vetëm i gabuar por edhe i dëmshëm“, deklaroi ndër të tjera ajo.

Hoti ka treguar edhe si e prek në aspektin psikik 11-vjeçaren e dhunuar intervistimi pas 16 ditësh që ka ndodhur rasti, për shkak të mungesës së psikologut.

Domosdoshmëria e psikologut ka të bëjë jo vetëm më intervistimin e vajzës, por së pari për ta mbështetur atë psikologjiksht. Ndihma e parë psikologjike, menjëherë pasi ka ndodhë rasti, në raste të tilla është e domosdoshme. Kjo dmth që shteti ka dështuar për t’ia ofrua ndihmën që i është dashur vajzës“, tha Hoti.

Çorientim, ankth dhe pasiguri e lartë, të qara të vazhdueshme, luhatje humori, ndjenjat e pafuqishmërisë, tërheqja nga njerëzit apo mbyllja në vete, racionalizimi ose mohimi i ngjarjes, këto janë disa nga simptomat që mund të përballen vajzat dhe gratë e dhunuara seksualisht nëse nuk kanë trajtim te menjëhershëm e të vazhdueshëm, raporton Sinjali.

Sulmi seksual është një ngjarje e pamerituar, jo e drejtë, e dhimbshme dhe mund të prodhojë trauma që mund të zgjasin gjithë jetën. Trauma mund të ndryshojë mënyrën se si ne e shohim botën, vetën dhe njerëzit përreth, dhe nëse ngecim në një mentalitet shumë negativ, kjo mund të ndikojë rëndë cilësinë e jetës.

Në rastin e sulmit seksual, ka një sërë ndjenjash, mendimesh dhe sjelljesh që ndodhin në ditët, javët dhe muajt pas ngjarjes traumatike. Këto janë simptomat më të njohura: Shoku emocional, duke përfshirë çorientimin, ankth dhe pasiguri e lartë, të qara të vazhdueshme, luhatje humori, ndjenjat e pafuqishmërisë, tërheqja nga njerëzit apo mbyllja në vetë, racionalizimi ose mohimi i ngjarjes, rikthime në kujtese të sekuencave të ndodhisë (flashbacks) dhe makthe të natës, probleme me përqendrimin,  zemërim apo inat, turp apo vetëfajësim, depresion si dhe mendime ose ide për vetëvrasje. Studimet tregojnë që, deri në 50% e viktimave të sulmit seksual, zhvillojnë PTSD (Çrregullim I Stresit Postraumatik), që është gjendje më e rëndë dhe kronike dhe trajtimi psikologjik afatgjatë është i domosdoshëm”, u shpreh ajo.

Përveç gjithë kësaj viktimat mund të përballen edhe me stigmat apo paragjykimet që shoqëria krijon ndaj viktimave e kjo për psikologen është ende më e rëndë, sepse nuk e lejon rehabilitimin dhe integrimin e viktimës në shoqëri.

“Përdhunimi mund të shkaktojë gjithashtu pasoja të rënda sociale dhe psikologjike për shkak të stigmës së lidhur me ngjarjen, dhe si rrjedhojë ndjenjat e turpit e përkeqësojnë shëndetin mendor të viktimës, sepse e mban brenda një rrethi të riviktimizimit gjë që nuk e lejon rehabilitimin dhe integrimin e viktimës në shoqëri”, sqaroi për Sinjalin psikologja Hoti.

Sa i përket periudhës kohore për t’u trajtuar rastet e tilla, Hoti tregon se kjo ndryshon tek njerëzit, por që ndodh që gjendja edhe mund të bëhet kronike.

Simptomat si pasojë e kësaj trauma, zakonisht fillojnë nga disa ditë deri në tre muaj nga incidenti traumatik, por ndonjëherë ato mund të shfaqen ose fillojnë vite më pas. Simptomat janë mjaft të rënda për të ndërhyrë në çdo sferë të jetës së personit. Rrjedha e këtij çrregullimi ndryshon. Disa njerëz, përmes trajtimit adekuat psikologjik dhe/ose psikiatrik përmirësohen brenda 6 muajve, ndërsa të tjerë kanë simptoma që zgjasin shumë më gjatë. Në disa raste gjendja bëhet kronike”, tha ajo.

Mbështetja familjare patjetër qe është tejet e rëndësishme, por në rastet kur familja diferencohet psikologja shprehet se kjo është për shkak mentalitetit dhe paragjykimeve që janë në shoqërinë tonë.

“Në këto raste, ndodhë që e gjitha familja është e shokuar dhe intervenimi psikologjik duhet të përfshijë gjithë  familjen, sepse bashkëpunimi dhe mbështetja e familjes është qenësore. Ka raste kur familjet janë shumë mbështetëse ndaj viktimës, dhe bashkëpunuese me profesionistët, por ka edhe raste kur familjet kanë qëndrim fajësues ndaj viktimës, dhe kjo pritet nëse marrim parasysh mentalitetin, stigmën dhe paragjykimet që janë në shoqërinë tonë“, shtoi tutje Hoti.

Ndër të tjera ajo shpërfaqi edhe mungesën e vendeve të punës, ani pse sipas saj, ka mjaft profesionistë dhe shërbimi i tyre është i domosdoshëm.

“Përkundër faktit që në vendin tonë ka shumë psikolog  të përgatitur, ata ende nuk janë pjesë e institucioneve relevante ku shërbimi i  tyre është i domosdoshëm, siç janë shkollat, spitalet rajonale, qendrat e shëndetit mendor, shumë klinika në QKUK, burgjet, komisariatet policore. Kjo ndodhë edhe përkundër faktit që në vitin 2017 ka diplomuar gjenerata e parë e Specialistëve të Pikologjisë Klinike, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, pjesa me e madhe e tyre janë ende të papunësuar, përkundër nevojës së madhe për shërbimet specialistike të psikologut klinik”, përfundoi Hoti.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.