No menu items!

Si mund të luftohet futja e armatimit në veri?

Është sekret publik që veriu i Kosovës ka pasur shumë armatim. Ka qenë depo e armatimit”.

Kështu e ka përshkruar drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, këtë pjesë të territorit, teksa ka folur në Radiotelevizionin e Kosovës për armatimin që gjendet vazhdimisht gjatë bastisjeve policore.

Në më pak se një javë, Policia ka gjetur dy herë armatim dhe uniforma ushtarake në veri të Kosovës, në aksionet e kryera pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, në Zubin Potok.

Policia ka thënë se sulmi ndaj kanalit – nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj – është kryer me një sasi eksplozivi prej rreth 20-kilogramësh.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se lënda e përdorur në sulmin në kanal “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”.

Autoritetet e Kosovës fajësojnë Serbinë për futje të armatimit në Kosovë, si dhe për organizimin dhe kryerjen e sulmeve që i konsiderojnë terroriste, në kanalin e Ibër-Lepencit dhe në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë.

Beogradi mohon gjithçka, madje për sulmin e fundit ka ofruar edhe ndihmë për kryerje të hetimeve.

Sfida në kufirin Kosovë-Serbi

Dogana e Kosovës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se armatimi ka hyrë përmes “rrugëve malore”.

Sipas zyrtarëve të saj, para sulmit në Banjskë, disa lloje armësh kanë mundur të hyjnë në Kosovë edhe brenda ditës përmes rrugëve ilegale.

Ndërkaq, shefi i Policisë ka thënë se dhjetëra rrugë ilegale me Serbinë tashmë janë bllokuar, por sfidë përbën pamundësia e zyrtarëve policorë për të qenë shumë afër kufirit.

Dy vendet ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Mbi 60 për qind e saj përfshin komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Një pjesë e konsiderueshme është zonë me terren të vështirë, të pabanueshëm. Edhe ky fakt e bën gati të pamundshëm kontrollimin e çdo pjesë kufitare.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare kujdeset Policia e Kosovës.

Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të KFOR-it atëbotë, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, beson se rrugët ilegale po kontrollohen pak, ose fare pak, dhe ndonëse lëvdon punën që po bëjnë zyrtarët policorë, ai thotë se atyre po u mungon elementi kryesor: informacioni.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU