No menu items!

Situata në Lindjen e Mesme -A po rrezikohet Kosova me ngritjen e çmimit të derivateve?

Situatë tejet e rënduar e sigurisë është në Lindjen e Mesme. Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, Irani ka goditur Izraelin me mbi 200 raketa, që kanë bërë që vëmendja e gjithë botës të kthehet atje.

E si shkak të situatës së përshkallëzuar në Lindjen e Mesme, ndikim të madh pritet të ketë edhe në një çështje mjaftë të rëndësishme, në atë të furnizimit me derivate.

Pikërisht si shkak i këtij përshkallëzimi, çmimet e naftës kanë shënuar menjëherë rritje.

Madje thuhet se nafta e përpunuar në standardin global është 74.88 dollarë për fuçi, kurse në standardin e ShBA-ve është 71.2 dollarë.

Ekspertët kanë paraparë që rritje edhe më e madhe e çmimeve mund të ndodhë nëse Izraeli synon që të godas në kthim Iranin apo prodhimin e tij të naftës.

Ndryshe dihet botërisht që Irani është një prodhues i madh dhe anëtar i organizatës së vendeve eksportuese të naftës (OPEC).

Irani eksporton pjesën më të madhe të naftës së saj në Kinë për shkak të sanksioneve të gjata ndërkombëtare, por analistët kanë thënë më parë se një reduktim i këtyre eksporteve do të kishte një ndikim masiv në tregun global.

Por sa mund të preket edhe tregu tek ne sa i përket ndryshimit në çmim të derivateve?

Lajmi.net ka kontaktuar Kryetarin e Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i cili ka thënë se çmimi i naftës për momentin mbetet stabil në treg, pavarësisht  krizës në Lindjen e Mesme.

“Ka pas kriza të ndryshme, por çmimi i derivateve nuk ka pas lëvizje të mëdha për momentin çmimi i derivateve është stabil, çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEK”,deklaroi ai.

Berjani gjithashtu shtoi se çmimi i derivateve në Kosovë varet nga tregjet ndërkombëtare dhe se çdo ndryshim reflekton edhe tek ne.

“Po çdo lëvizje në tregjet ndërkombëtare Berz çmimi i derivateve reflekton edhe te ne në Kosovë”,shtoi ai.

‘’Për momentin me çmime të derivateve jemi më të lirët në rajon ,përveç Maqedonisë Veriore e cila e ka akcizën më të lirë për 22 cent’’

Aktualisht sipas Berjanit, çmimi i derivateve në Kosovë është më i liri në rajon.

Në Kosovë momentalisht Dizeli: 1.17 deri 1.19 dhe benzina: 1.19 deri 1.29.

Duhet përkujtuar që kosovarët ngritjen më të madhe të çmimeve në derivate e patën pas pandemisë COVID-19.

Kurse në Shqipëri dizeli 1.86, benzina 1.87.

Serbi: Dizeli 1.76, benzina 1.77./Lajmi.net/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU