Qeveria në detyrë ditë më parë bëri të ditur për akreditimin e programit Master në Energjetikë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e cilësoi këtë si lajm shumë të mirë për akademinë dhe sektorin e energjisë.
E ndaj kësaj reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami duke thënë se për këtë nuk kanë meritë as Kurti e as ministrja në detyrë e arsimit Arbërie Nagavci.
“Ani ”Program master për Energjetikë”, Lej more punët e të tjerëve, se as ti as Nagavci asnjë meritë aty nuk e keni. Këtë e them me përgjegjësi të plotë se jam pjesë e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës prej vitit 2004, disa herë kam marrë pjesë në akreditim të programeve të reja dhe të atyre ekzistuese. Krejt programet e reja hartohen dhe mbrohen para ekspertëve të akreditimit nga stafi akademik dhe asnjë një punë këtu as qeveria as MASHT-i nuk ka , asnjë të vetme”, shkroi Bajrami.
Deputetja Bajrami madje i kërkoi kryeministrit në detyrë që të flas për skandalet në sektorin e energjisë.
“Ti je përgjegjës për gjendje dhe skandalet në sektorin e energjisë, sepse ish ministrja e ekonomisë, njerëzit që i keni qu në ZRRE dhe në KOSTT kanë leju dhe kanë ndihmu të lulëzoj mafia e energjetike”, u shpreh Bajrami.
Pas këtyre deklaratave ka reaguar ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci. Nagavci tha se hipokrizisë dhe sulmeve politike u përgjigjen me politika të duhura arsimore.
“Reagimi i znj. Bajrami për Programin e Energjisë në FIEK është krejtësisht për konsum politik dhe nga halli që tashmë s’ka kthim prapa, aty ku ishin ata. Ata, që për vite me radhë degraduan arsimin , lanë arsimin e lartë të ndikuar nga persona e grupe partiake , ata që universitetet i lanë të vetmuara në sfidat e tyre, ata sot përpiqen të bëjnë zhurmë politike mbi një reformë që më në fund po ndërtohet mbi bashkëpunim, vizion dhe standard”, ka shkruar Nagavci në një postim në Facebook.
Ministrja në detyrë tutje ka theksuar se reforma në UP po jep rezultate të prekshme dhe për herë të parë pas shumë vitesh, universiteti është çliruar nga ndikimi partiak.
Tutje Nagavci ka shkruar se transformimin në UP e mundësuan edhe me Statutin e ri, të cilin sipas saj deputetja Bajrami bashkë me kolegët e saj nga LDK, PDK e AAK u munduan ta pengonin e pamundësonin.
“Kur dështuan në Universitet e pastaj në Kuvend, e dërguan në Gjykatën Kushtetuese. Ironikisht, shumë prej deputetëve të LDK, PDK, AAK që e dërguan Statutin në Gjykatë Kushtetuese, janë vetë profesorë në UP, profesor që deri dje përfitonin nga një sistem i mbyllur, i kontrolluar politikisht. Por reforma nuk ndalet. Kthim prapa nuk ka. Ka vetëm llogaridhënie për ata që kanë keqpërdorur pozitën apo kanë mbrojtur status quo-në për interesa personale e partiake dhe mbështetje të plotë për ata që me integritet e profesionalizëm punojnë për të mirën e universitetit”, ka shkruar Nagavci./Telegrafi/