Sot filloi punimet Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Ndërmarrësi dhe Menaxhment në Prishtinë – (Prime) me temë “Përballja me Ndryshimet në një Botë Dinamike,” e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Diskutimet në këtë konferencë janë të strukturuara në një sesion plenar dhe disa sesione paralele, duke përfshirë tema të rëndësishme si inteligjenca artificiale, ndërmarrësia e gjelbër, qeverisja dhe shteti, konteksti i ndërmarrësisë, zhvillimi i biznesit dhe praktikat menaxheriale. Sipas Kryetarit të Këshillit Organizues, Prof. Dr. Besnik Krasniqi, anëtar i ASHAK, në këtë konferencë do të prezantohen 34 punime dhe do të marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës.
Prof. Krasniqi theksoi se këto tema pritet të kenë një ndikim pozitiv në zhvillimin teorik dhe praktik të ndërmarrësisë dhe menaxhimit. Kjo konferencë do të shërbejë si platformë për të sfiduar paradigmat ekzistuese, për të vënë në dyshim supozimet dhe për të shtyrë kufijtë e kërkimit shkencor në këtë fushë.
Në konferencë marrin pjesë studiues dhe folës të shquar nga e gjithë Evropa – përfshirë Anglinë, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe vende të tjera të rajonit – duke ndarë njohuritë, përvojat dhe qasjet e tyre inovative për të adresuar sfidat e ndryshimit në biznes.