No menu items!

Specialja përfundon paraqitjen e provave kundër krerëve të UÇK-së – nesër mbahet konferenca në Hagë

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka përmbyllur fazën e saj në rastin kundër krerëve të UÇK-së. Me dorëzimin e të gjitha provave dhe përfundimin e paraqitjes së dëshmitarëve – gjithsej 125 në numër dhe mbi 3 mijë prova materiale – tani topi kalon në fushën e mbrojtjes.

Para se të vazhdohet me fazat e ardhshme të procesit, nesër në Hagë do të mbahet një konferencë për ecurinë e çështjes, ku pritet të diskutohen hapat e radhës.

Në këtë konferencë do të shqyrtohen mocionet e avokatëve të mbrojtjes për rrëzimin e disa prej akuzave, dëshmitarët e mundshëm, si dhe paraqitja e rastit nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave. Gjithashtu, do të përcaktohen afatet për procedurat në vijim dhe koha që kanë në dispozicion avokatët për dorëzimin e mocioneve për hudhjen e aktakuzës.

Avokatët e krerëve të UÇK-së kanë paralajmëruar se nëse mocionet e tyre nuk pranohen, do të thërrasin dëshmitarë në mbrojtje të klientëve të tyre.

Prokurorja e Specializuar, Kimberli West, e vlerësoi lart guximin e dëshmitarëve që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe unë duartrokas kurajën e tyre,” tha ajo.

Nga ana tjetër, mbrojtja mbetet e bindur se rasti i Prokurorisë është i dobët dhe i pabazuar.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, theksoi se provat e dorëzuara kundër klientit të tij nuk qëndrojnë.

Sipas meje, ky rast dhe provat kundër z. Thaçi janë shumë të dobëta. Në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet e nisura nga raporti i Martyt nuk kanë thuajse asnjë lidhje me ato që janë paraqitur në sallën e gjyqit. Jam shumë optimist për rezultatin”, tha Misetiq.

Ai shtoi se janë të zhgënjyer nga kohëzgjatja e paraburgimit prej 4 vjet e gjysmë dhe theksoi se kjo çështje ka mundur të përfundojë më herët.

Ngjashëm është shprehur edhe avokatja e Jakup Krasniqit, Venketswari Alagendra.

“Mbrojtja ka qëndruar e palëkundur në përkushtimin për të vërtetën dhe drejtësinë. Strategjia jonë ka qenë gjithmonë e bazuar në fakte dhe integritet,” thuhet në reagimin e saj.

Alagendra bëri të ditur se mbrojtja tani do të ndjekë hapat proceduralë për të çuar përpara çështjen, me synimin që procesi të përfundojë sa më shpejt.

Avokati i Rexhep Selimit, David Young Roberts, u shpreh i bindur në pafajësinë e klientit të tij.

“Pres një analizë të drejtë dhe të detajuar të provave. Z. Selimi ka qenë prezent në çdo seancë dhe ka bashkëpunuar plotësisht me gjykatën. Pas 4 vjetësh e gjysmë larg familjes, ai mbetet optimist dhe beson në drejtësinë që do të triumfojë në fund”, tha ai.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.