Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendimin për të pranuar dhe strehuar përkohësisht deri në 50 shtetas nga vende të treta, në kuadër të një kërkese të bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmin e bëri të ditur ekzekutivi pas një mbledhjeje elektronike të mbajtur më 11 qershor
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qëndrimi i përkohshëm i këtyre personave do të menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ata do të respektojnë legjislacionin në fuqi gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Kosovë.
Ky vendim u mirëprit nga autoritetet amerikane. Departamenti i Shtetit dhe ambasada amerikane në Prishtinë e kanë falënderuar Kosovën për partneritetin dhe gatishmërinë në çështjet e sigurisë kufitare.
Ambasadorja Anu Prattipati e cilësoi Kosovën si vendin e parë në Evropë që pranon shtetas të larguar nga SHBA-të, duke theksuar se ky veprim përputhet me prioritetet e administratës së presidentit Trump.
Faleminderit partnerit tonë, Kosovës – vendi i parë në Evropë që njofton pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara. Sigurimi i kufirit amerikan është një përparësi kyçe e administratës Trump dhe e vlerësoj shumë si Qeverinë, ashtu edhe popullin e Kosovës për këtë partneritet”, tha Prattipati.
Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike, përfshirë edhe ish-ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, kanë thënë se ky është një hap simbolik që duhet të shoqërohet me një qasje më të gjerë për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin.
“Kosova e përfaqësuar nga Albin Kurti, ka zero komunikim, e lëre më marrëdhënie partneriteti me SHBA-të. Kurti ka dështuar që të ndërtojë një partneritet strategjik, ku interesat politike, ekonomike e të sigurisë bashkërendohen e koordinohen me aleatin e vetëm global të Kosovës. Ky veprim i qeverisë Kurti, e as ndonjë tjetër që do të vijë, nuk do të ndryshojnë raportin krejtësisht të ftoftë që Kosova ka ndërtuar me SHBA-të në këto 5 vjet”, u shpreh Hill.