No menu items!

Sulm ndaj policisë në Prizren – I dyshuari përfundon me plagë të rënda në QKUK

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën

Një incident i tillë është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku një qytetar ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 21:30 të datës 14 qershor 2025, patrulla e policisë ka ndërhyrë në disa parkingje ilegale në këtë zonë. Gjatë kontrollit, një qytetari i është shqiptuar një gjobë për parkim të kundërligjshëm, por ky reagoi me agresivitet të skajshëm.

I dyshuari, i identifikuar si Sefer Fetahaj, 33 vjeçar, ka filluar t’i fyejë rëndë zyrtarët policorë, për të vazhduar më pas me rezistencë fizike. Sipas burimeve, në tentativë për ta larguar me forcë nga zona, Fetahaj ka shtyrë zyrtarët dhe më pas është rrëzuar me fytyrë mbi trotuar, duke pësuar lëndime serioze në fytyrë.

Pavarësisht lëndimeve, ai ka tentuar të sulmojë përsëri policët, çka ka detyruar zyrtarët të përdorin forcë proporcionale dhe të domosdoshme, për ta neutralizuar situatën. Pas vendosjes së prangave, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku ka marrë ndihmën e parë nga emergjenca mjekësore.

Ndërkohë, zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta në duar, gjatë përleshjes fizike.

Sipas mjekut kujdestar të emergjencës, Sefer Fetahaj kishte lëndime të rënda dhe është dërguar me urgjencë në QKUK – Prishtinë për trajtim të mëtejshëm, nën përcjelljen e një patrulle policore.

Lidhur me rastin, hetuesi kujdestar ka informuar Prokurorin e Shtetit, ndërsa pritet vendimi për veprimet e mëtutjeshme ligjore ndaj të dyshuarit. Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.